May 13, 2024
Tirana, Albania
Aktualitet Lajmi i fundit

“E dashura e Erdgysit në gjendje të rënduar”, gazetarja: Kunata e Alma Arrazit nën hetim, dyshohet se nuk i ka thënë të gjitha

Policia ka dyshime se familjarët e Erdgys Arrazit po fshehin detaje që mund t’i shërbejnë hetimit për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Shkodër ku Alma Arrazi dhe tre fëmijët e saj dyshohet se janë vetë mbytur në lumin Buna. Gazetarja Anila Hoxha, tha në Top News se kunata e Alma Arrazit ndodhet nën hetim, pasi ka dyshime se ajo nuk dha dëshmi të sinqertë para grupit hetimor. Nga ana tjetër, e dashura e Erdgysit, sipas gazetares, do të pyetet në një moment të dytë, pasi ndodhet në gjendje të rënduar emocionale.

“Personi kyç në këtë histori është kunata, gruaja e cila ndahet në takimin e fundit, ka dyshime se nuk është e sinqertë, çfarë kanë diskutuar realisht gratë me njëra-tjetren, ka dyshime grupi hetimor, se kanë indicet e tyre, gjatë 2 orëve ka patjetër diçka që është thënë e cila ka qenë pika që mbushi gotën, kunata është nën hetim në gjendje të lirë. Një grua e tretë që është historia jashtëmartesore e cila kishte 7 muaj, grupi hetimor vendosi ta pyesë në një moment tjetër, sepse ndodhet në një gjendje të rënduar”, tha gazetarja.

Dje u mësua se autoritetet kanë ndryshuar pistën e hetimeve pasi një kukull e dyshuar se ishte e njërës prej vajzave të Alma Arrazit zbuloi vendin se ku 39-vjeçarja mund të ketë kryer aktin e rëndë.

Në fund të urës së re Bunës, në këmbët poshtë kësaj ure, në një vend me zhavor dhe pemë e shkurre efektivët gjetën kukullën e cila është sekuestruar nga prokuroria dhe është çuar për t’i bërë analizën e AND-së nëse ka apo jo lidhje me njërin prej tre fëmijëve të mbytur të Alma Arrazit.

Kukulla e gjetur në breg poshtë urës, bëri që forcat RENEA nga fshati Darragjat ku u gjet vajza 9-vjeçe të përqëndrojnë kërkimet e tyre në këtë vijë ujore të lumit. Vetëm pak metra më tutje, tek pinarët u gjet trupi i pajetë i vajzës 8-vjeçare.

Jo shumë larg nga pinarët, në një largësi prej afro 2-3 kilometër në afërsi të Oblikës në Anën e Malit u gjet edhe trupi i djalit 4-vjeçar dhe rreth 35 kilometër nga aty përballë fshatit Pentar në ujërat që i përkasin Malit të Zi u gjet edhe trupi i pajetë i Alma Arrazit.