October 2, 2024
Bota Lajmi i fundit

Avionë francezë mbi ushtrinë serbe! Komandanti i NATO: Po çojmë armë të rënda e trupa në Kosovë!

Përballë lëvizjeve shqetësuese të ushtrisë dhe shtetit të Serbisë, NATO po garanton mbrojtjen e Kosovës dhe të Bosnje e Hercegovinës. Këtë e konfirmoi Gjenerali Amerikan, Christopher G. Cavoli, Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Europë, gjatë dëshmisë së dhënë para Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Përtej Ukrainës, zyrtari i Pentagonit dhe aleancës së fuqishme, nënvizoi se ka zhvillime të tjera në europë që nuk janë të mira për interesin kombëtar të SHBA-ve, prandaj po fuqizohet misioni i KFOR-it në Kosovë dhe ai ALTHEA në Bosnje, me dërgimin e armëve të rënda dhe shtimit të personelit ushtarak. Gjithashtu falenderoi ushtrinë franceze që po monitoron ushtrinë serbe nga ajri.

“Shtetet po tregohen vërtetë bujare, por ne do të vendosim pajisje të rënda në terren, gjithashtu edhe më shumë njerëz. Dëshiroj të falenderoj Francën për ndihmën e madhe. Franca ka vendosur Aeroplanmbajtësjen Charles de Gaulle në det të hapur në Adriatik dhe kohët e fundit ka vendosur një batalion në një dislokim operacional për një afat të mesëm. Pra, ata kanë rritur forcat e tyre. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani, siç e kuptoni, sepse këtë javë tensionet janë dukshëm më të larta”, tha Gjenerali Amerikan, Christopher G. Cavoli, Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Europë.

Gjenerali amerikan theksoi në Senat se tani NATO është në një pozitë më të mirë, por kërkoi që rajoni të mbahet gjithmonë në mbikëqyrje. Për këtë arsye ka autorizuar një vëzhgim ajror për të monitoruar kërcënimet e mundshme ndaj Kosovës dhe Bosnjes.

“Ne kemi drejtuar të paktën dy misione të fokusuara grumbullimi për të shtuar mbledhjen e informacioneve të inteligjencës dhe të kuptuarit e asaj që po ndodh në të dy këto vende”, shtoi Gjenerali Amerikan, Christopher G. Cavoli.

Më pas seanca kaloi në dyer të mbyllura. Në një deklaratë thuhet se sulmi i Banjskës dhe grumbullimi i ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën, vitin e kaluar, ishin kërcënimi më I madh për kthimin e luftës që prej vitit 1999. Gjenerali amerikan ka shprehur shqetësim dhe për ndikimin në rritje të Rusisë në rajon, me qëllim të qartë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. “Rusia mund të mos jetë vetëm; roli i Serbisë në këto operacione ndikimi mbetet për tu parë”, ka theksuar ndër të tjera Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Europë.