November 27, 2024
Ekonomi

Kanë aplikuar mbi 64 mijë fermerë për të përfituar nga Skema e Bujqësisë, kryesojnë Fieri dhe Korça

Pjesa më e madhe në Fier e Korçë, 64 500 fermerë kanë aplikuar për të përfituar nga masat mbështetëse në Skemën Kombëtare të Bujqësisë së këtij viti.

Dhimitër Kote, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, shprehet për A2 CNN: “Jemi mbi 64 500 fermerë që kanë aplikuar deri më tani. Janë mbi 250 fermerë që kanë aplikuar në grupe, si në blegotori apo blegtari e naftën. Kanë aplikuar në grup pasi nuk kanë pasur sipërfaqe toke 1 ha tokë”.

Nga buxheti i shtetit 2024, janë rreth 3,3 miliardë lekë që do të alokohen për mbështetjen e fermerëve, ku 1,2 miliardë lekë prej tyre shkon për naftë dhe 2,1 miliardë lekë të tjera për blegtorinë, bimët mjekësore dhe serrat. Por, a mjaftojnë këto para për të gjithë fermerët?

“Nga trendi i deritanishëm besojmë se do të jenë mbi 70 mijë fermerë që do të përfitojnë. Besojmë se fondi në dispozicion do të jetë i mjaftueshëm për të gjithë”, thotë Kote.

Këtë vit, fermerët nuk do të marrin bidonë apo tollona për naftën, por para’ në llogaritë e tyre bankare për ta blerë vetë atë. Zëvendësministëri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kote, tregon edhe se si ka shkuar ky eksperiment: “Sistemi bankar është përgjigjur pozitivisht. Të gjithë ata që nuk kanë pasur llogari, kanë mundur t’i hapin ato”.

Bujqit dhe blegtorët shqiptarë kanë kohë deri në 19 prill në mesnatë për të paraqitur kërkesat e tyre. Këtë herë procesi nuk do të jetë i ndërtuar mbi parimin “kush aplikon i pari përfiton”, siç ka ndodhur vitet e mëhershme.