October 30, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

Tubimi me molotov kundër Veliajt, tre protestues të arrestuar dhe 8 në kërkim

Opozita protestoi ditën e djeshme para Bashkisë së Tiranës për të tretën herë që pas arrestimit nga SPAK të tre ish-drejtorëve në varësi të këtij institucioni për abuzim me detyrën në lidhje me dosjen “5D”.

 

Tubimi që nisi i qetë agravoi në përplasje të mbështetësve të opozitës me forcat e policisë dhe kulmoi me hedhjen e molotovëve në derën kryesore të Bashkisë, teksa kërkohej dorëheqja e Erion Veliajt.

 

Lidhur me tensionet në protestë, ka dalë në një komunikatë për mediat edhe Policia e Shtetit, duke bërë me dije se dy 18 vjeçarët Kevin Vidrica dhe Bernard Metaliaj, të cilët kanë hedhur molotov në drejtim të forcave të rendit dhe institucionit, tashmë janë arrestuar.

 

“Pas përfundimit të protestës janë kryer veprimet procedurale, është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar në cilesinë e provës materiale objekte dhe sende të hedhura në drejtim të Bashkisë Tiranë, të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike. Për përdorim të lëndëve piroteknike (molotov) janë arrestuar në flagracë shtetasit K. V., 18 vjeç, dhe B. M.,18 vjeç. Gjithashtu po punohet për identifikimin dhe kapjen e dy shtetasve, të cilët kanë hedhur dhe kanë përdorur lëndë piroteknike (molotov).”

Sipas policisë përplasja mes tyre dhe protestuesve ndodhi pasi një grup opozitarësh i drejtuar nga ish-deputeti Klevis Balliu dhe këshilltari bashkiak nga radhët e PL-së, Tedi Blushi, ka tentuar të çajë kordonin e krijuar para bashkisë.

 

“Në lidhje me protestën e organizuar ditën e djeshme, më datë 19.04.2024, në orën 11.00, përpara Bashkisë Tiranë, thirrur nga Aleanca për Teatrin, e cila filloi në orën 11.00 me fjalime dhe përgjithësisht e qetë, në momentin që ka marrë fjalën shtetasi B. K., në drejtim të portës hyrëse të Bashkisë Tiranë, janë hedhur sende të forta dhe lëndë piroteknike artizanale (molotov). Pas kësaj një grup protestuesish, në drejtimin e shtetasve F. N., K. B., T. B., dhe të personave të tjerë, kanë tentuar të çajnë kordonin e Policisë, në portën tjetër të Bashkisë, nga krahu i sheshit “Skënderbej”, dhe gjatë këtij momenti ka patur konfrontim midis protestuesve dhe punonjësve të Policisë.”

 

Uniformat blu po ashtu kanë vënë në pranga për ushtrim dhune ndaj punonjësve të policisë, shtetasin Franci Kaloshi, banues në Lushnjë.

 

Ndërkohë që janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e pamjeve për identifikimin e protestuesve të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale, Blutë sqarojnë se po punohet për arrestimin e 8 mbështetësve të tjerë të opozitës.

 

“Janë proceduar ne gjendje të lirë shtetasit K. B., T. B., E. V., D. B. Po punohet për kapjen e shtetasve A. T., R. D., A. M., J. H., B. Z., B. Gj., E. P., dhe A. P.”