November 29, 2024
Ekonomi Lajmi i fundit

Bastet sportive nuk janë hapur, ata që duan të provojnë fatin duke luajtur “online”, duhet ende të presin

Bastet sportive nuk janë hapur! Ata që duan të provojnë fatin duke luajtur “online”, do të duhet ende të presin.

Derisa të plotësohen kriteret e licencimit; derisa të licencohen kompanitë që do të ushtrojnë veprimtarinë e lojërave të fatit… nuk mund të themi se bastet sportive aktualisht janë të ligjshme”, tha Henri Telharaj, Këshilli Shqiptar për Problemet e Lojërave të Fatit.

Pas më shumë se dy muajsh nga votimi në Parlament i projektligjit “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” dhe botimit të ndryshimeve në Fletoren Zyrtare në mesin e marsit, Ministria e Financave është ende duke hartuar aktet nënligjore. Nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit konfirmohet që deri më tani nuk ka ende asnjë kompani të licencuar për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

“Janë duke u plotësuar të gjitha ato të cilat në ligj janë shprehur në nivel politikash, tani janë duke u hartuar programet. Janë duke u hartuar programet për licencime të kompanive apo ato për mbrojtjen e lojtarëve dhe familjarëve të tyre.”

E në një kohë që bastet sportive, tashmë vetëm “online” pritet të bëhen të ligjshme, numri i lojtarëve të varur nga lojërat e fatit po zgjerohet.

“Situata u bë më e keqe se para se bastet sportive të ishin fizike dhe lojtarët duhet të shkonin fizikisht. Në këtë 5-vjeçar teksa pikat e basteve fizike ishin të mbyllura, u shtuan baste online. Nëse më parë ne kishim 5 mijë pika bastesh, gjatë këtyre 5 viteve, numri u barazua me popullsinë. Dikush që kishte varësi e thelloi atë dhe të tjerë të varur u shtuan.”

Me ndryshimet e miratuara ligjore, për të luajtur baste sportive “online”, qytetarët do të duhet të regjistrohen me anë të kartës së tyre të identitetit në faqet web ose aplikacionet e licencuara për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

Gjithashtu, do të krijohet një regjistër elektronik që do të ndalojë të luajnë ata që kanë varësi apo probleme të tjera me lojërat e fatit.