May 1, 2024
Tirana, Albania
Ekonomi

Bizneset nuk pyesin për fiskalizimin, Tatimet vendosën mbi 100 gjoba në 2023

E ka rritur informalitetin më shumë ose nuk ka sjellë ndonjë ndryshim të qenësishëm. Edhe pse kanë kaluar 3 vjet pas fillimit të tij, procesi i fiskalizimit ose thënë ndryshe një tërësi masash që përdoren për të zvogëluar evazionin fiskal me dhe pa para në dorë, duket se nuk e ka kryer qëllimin e tij të plotë.

Në mbi 35% të bizneseve sipas raportit të Këshillit të investimeve, fiskalizmi  në 2023 nuk e uli nivelin e informalitetin të krijuar.

“Është politika qeveritare sa ndihmon të ketë evazion apo jo. Ç’ rëndësi ka si e pret faturën rëndësi ka politika që ndjek qeveria. Në momentin që i kemi vendosur dhe një tatim, si ai për tatim fitimin e thjeshtuar në këtë moment që tatohem ndërgjegjja e bizneseve është tendencë për të mos e paguar, kjo e bën rritjen e evazionit dhe jo fatura njëlloj e presë si para fiskalizmit dhe pas”, tha ekspertja kontabël, Etleva Treska.

Përtej uljes së informalitetit, përballja me fiskalizimin edhe 3 vjet pas zbatimit të tij, i has bizneset me një sërë problematikash. Pamundësia për konsultimin e gabimeve të hasura nga procesi i fiskalizimit i ka rritur edhe më tej kostot bizneseve. Në raportin e Këshillit të investimeve u vu në dukje se mbi 79% e bizneseve në vend shprehnin se procesi i fiskalizimit ka nevojë për ngritjen e një shërbimi elektronik me telefon, i njëjti trend si më parë.

“Ka anë pozitive dhe negative. Na ka ndihmuar në pjesën teknike fiskalizimi në librat e shitjeve dhe blerjeve gabimet nuk ndodhin. Por sa I përket bizneseve, jo të gjithë janë në atë nivel ta përdorin. 93% e bizneseve janë biznes I vogël dhe bëjnë gabime si përshembull për prerjen e një faturë kafe e shtypin gabime dhe xhiro shkon sa për një biznes të madh dhe e kalojnë në biznes të madh. Ka pas problem sa i përket kompanive në momentin që punojnë me pajisjen dhe nuk dalin në selfcare. Dhe këto problematika hasim ne bizneset. Me sistemin e fiskalizmit nuk do të thotë që shumë gjëra teknike të kenë arritur të rregullohen. Kështu që çdo gjë është specifike s’ma jep dot një robot përgjigjen. Jam gjithmonë që të ketë zyra fizike sa i përket sqarimit me personat.”

Në 2023 nuk munguan as penalitetet nga Drejtoria e Tatimeve për procesin e fiskalizimit. Sipas të dhënave të DPT rreth 77 tatimpagues u penalizuan për mosinstalim të sistemit të fiskalizimit (6 TP Biznes i madh; 4 TP Biznes i vogël me Tvsh dhe 67 TP Biznes i vogël) dhe 30 për mos kryerje fiskalizimi.