Normalizimi i raporteve me Kosovën, bëhet zyrtarisht një kusht për integrimin e Serbisë në bashkimin Europian. Këshilli i Ministrave të BE-së, miratoi të hënën vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësim të Serbisë.
Ndryshimi ka të bëjë me kapitullin 35, në të cilin zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën tani bëhet edhe kusht formal për integrimin e Beogradit. Në tekstin e ritë kornizës negociuese si kusht është vendosur kjo fjali:
“Serbia zbaton plotësisht obligimet që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Aneksit të zbatimit të saj, siç ishin pajtuar më 18 mars të vitit 2023”, deklaroi Stano.
Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), të cilat edhe kishin propozuar këto ndryshime, e kanë mirëpritur vendimin e Këshillit të Ministrave për ta miratuar ato.
Zëdhënësi Peter Stano, konfirmoi se edhe Kosovën do të bëhet formal një detyrim i tillë përmes një grupi “të posaçëm për normalizim”.
“Ne presim që të dyja palët ta zbatojnë Marrëveshjen dhe të gjitha detyrimet e tjera që kanë mbetur nga dialogu, sepse kjo është thelbësore për rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, thotë Peter Stano, zëdhënësi BE.
Përparimi në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën edhe më herët kishte qenë pjesë e kushtëzimeve në negociatat e anëtarësimit të Beogradit në BE, por tani në mënyrë specifike përmendet kushti i zbatimit të marrëveshjes të arritur vitin e kaluar.
Autoritetet serbe në disa raste kanë thënë se nuk do të zbatojnë pjesë të marrëveshjes që kanë të bëjnë me integritetin territorial dhe pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.