Nëse keni planifikuar të blini shtëpi me kredi në muajt në vijim, përgatituni të përballeni me kritere më të ashpra nga bankat. Banka e Shqipërisë për 3 mujorin e dytë të vitit parashikon se institucionet financiare do të kritere edhe më të specifikuara në aprovimin e një kredie.
“Në kreditimin e individëve bankat presin të jenë disi më konservatore në tremujorin e dytë, duke shtrënguar standardet e kreditimit, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe në ato për financimin e konsumit.” -thuhet në dokument.
Bankat aplikuan politika të diferencuara kreditimi për individët në tremujorin e parë të vitit 2024. Në kreditë për konsum, politikat rezultuan lehtësuese ndërsa në ato për blerjen e banesave, politikat kredituese pasqyruan shtrëngim të standardeve, kushteve e termave, nxitur kryesisht prej zhvillimeve aktuale e të pritura në tregun e banesave, si edhe nga ambienti i normave të interesit.
“Në kushtet e normave më të larta të interesit, bankat shtrënguan elementet çmim, nëpërmjet aplikimit të marzheve më të larta sidomos në kreditë lëvruar individëve me qëllim blerjen e banesave. Megjithatë, ambienti që përcakton kushtet e termat e kreditimit mbetet konkurrues dhe bankat kanë shfaqur një tolerancë më të lartë kundrejt marrjes përsipër të riskut.”-thuhet në dokument.
Pavarësisht kushteve, kërkesat e individëve kanë qenë të larta në tremujorin që lamë pas. Të dhënat më të fundit nga Banka për muajin shkurt tregojnë se qytetarët shqiptarë morën gati 8 miliardë lekë kredi. Më shumë se 3 miliardë lekë, thënë ndryshe mbi 38 për qind e totalit u kërkuan pikërisht blerje banesash.
Por sipas Bankës Qendrore pavarësisht kushteve kërkesa për kredi nga individët pritet të jetë po ashtu në rritje, si për mbulimin e nevojave për konsum ashtu edhe për financimin e blerjeve të banesave. Shkak për këtë pritet të jenë edhe disa sinjale të prodhuara nga rikthimi i inflacionit në 2.6% për zbutje të mundshme të normave të interesit nga Banka e Shqipërisë. Kjo do të bënte që kredia të ishte më e lirë, duke joshur më shumë qytetarë e sipërmarrës të trokasin në banka.