May 1, 2024
Tirana, Albania
Kosova

Djegiet e pronave në veri, serbët që njohin shtetin e Kosovës jetojnë nën kërcënim

Djegiet e pronave, veturave dhe arrestimet e serbëve që punojnë në institucionet e Kosovës ose iu binden ligjeve të shtetit shihen si përpjekje të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç për të mbajtur nën tensionet situatën kryesisht në veri të Kosovës.

Në sytë e ekspertëve, Vuçiç e njerëzit e tij synojnë që përmes tensionit të nxisin edhe një konflikt.

“Ka vetëm një adresë së cilës i pengon integrimi i komunitetit serb në Republikën e Kosovës dhe ajo adresë është shumë e qartë është binomi Vuçiç-Radoiçiç si një zgjatim i Federatës Ruse për ta mbajtur në tension e presion e mundësisht për të hapur një front lufte në këtë pjesë të Evropës Juglindore”, shprehet Valdet Hoxha, ekspert i sigurisë.

Kosovës i sugjerohet që të jetë e kujdesshme dhe të punojë ngushtë me ndërkombëtarët për të dëshmuar se Serbia nuk po lë integrimin e komunitetit serb.

“Duhet të ketë një koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë që t’i bindim që janë vet faktori serb, konkretisht shteti serb, i cili nuk po lejon integrimin e komunitetit serb në Republikën e Kosovës”, vijon Hoxha.

Policia është duke hetuar rastet e djegies së pasurive të serbë në veri mirëpo nuk dëshiron të paragjykojë arsyet, veçse ka premtime se rastet do të marrin epilog.

“Për tremujorin e parë kanë qenë 8 djegie të veturave, zjarrvënie, 5 prej tyre kanë qenë në Leposaviq, por këto nuk do të thotë se lidhen me një fenomen, ka mundësi lidhen edhe me një rast të caktuar, me një person të caktuar, ose gjetjen e mjetit eksploziv nën veturë por hetimet duhet të jenë kualitative dhe kur të jenë kualitative këto marrin kohë. Konsideroj që nuk do të mbesin këto raste pa u ndriçuar por kërkon pak kohë”, thotë Vetonel Shani zv/drejtori i policisë në veri.

Ditë më parë, në oborrin e shtëpisë së Dragan Mllagjoviq u hodh një granatë dore. Ai iu tha mediave se arsye për këtë ishte se punonte e tregtonte produkte të një kompanie kosovare.