November 27, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

“Njeriu kyç në marrëveshjen Shqipëri-Itali, një ish-avokat i trafikantëve të drogës në Tiranë”/ Reagon Engjëll Agaçi

Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët ka tërhequr sërish vëmendjen e mediave të huaja ku i kanë kushtuar një artikull të veçantë. Në artikullin e “La Republica” shkruhet se njeriu kyç në marrëveshjen e kërkuar nga qeveria Meloni do të ishte Ëngjëll Agaçi, sekretar i kryeministrit Edi Rama dhe ish-avokat i eksponentëve kryesorë të mafies shqiptare në Itali, në qendër të një tentative të bujshme për të korruptuar kreun e Interpolit të Romës.

“Agaçi ka qenë konsulent i shefit të Interpolit, Gjeneral Fabrizio Lisi, oficer ndërlidhës mes Tiranës dhe Romës, në luftën kundër trafikut të drogës. Lisi duhej të menaxhonte një operacion pronash të paluajtshme që kishte të bënte me pronësinë e disa tokave për fondacionin e tij dhe iu drejtua avokatit Agaçi i cili e vuri në kontakt me një prestanome të Artur Sheut, kreut të trafikantëve të drogës me kontakte me Cosa Nostra dhe Sacra Corona Unita. Lisi thotë se nuk e dinte kush ishte Shehu dhe se kishte besim tek Agaçi. Edhe Rama dhe qeveria i besuan Agaçit. Ishte ai që në rolin e këshilltarit ligjor të Ramës, ndoqi në emër të qeverisë shqiptare padinë e paraqitur nga opozita në Gjykatën Kushtetuese shqiptare në lidhje me marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët që mund të bllokonte gjithçka. Agaçi shpëtoi investimin me shumë miliona nga Italia që do të mbërrijnë në Shqipëri. Po flasim për rreth 1 miliard euro në 5 vjet” – shkruan “La Repubblica”.

Kjo çështje u trajtua në emisionin investigativ “Report” në televizionin italian RAI 3, ku ndër të tjera veçohej roli i Engjëll Agaçit, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të cilin e quan një ish-avokat të trafikantëve të drogës.

“Agaçi është një avokat i rëndësishëm shqiptar me zyrë edhe në Romë. Në të kaluarën, klientë të tij ishin edhe disa nga bosët kryesorë të mafies shqiptare, të gjykuar në Itali. Në vitin 2016, disa nga klientët e tij përfunduan në qendër të një polemike ligjore. Sipas asaj që raportuan magjistratët italianë, shumë bosë të mafias shqiptare, të dënuar me dënime nga 10 deri në 20 vjet në Itali, u ekstraduan shumë lehtë në Shqipëri, ku pasi mbërritën atje ata vuanin dënime shumë më të ulëta ose madje u liruan nga burgu”- thuhet në reportazhin e “Report”.

Pas këtij shkrimi ka reaguar vetë Agaçi, në një deklaratë për “La Repubblica” duke paralajmëruar padi për shpifje ndaj emisionit.

“Kam lënë detyrën ligjore 10 vjet më parë dhe krahasimi i bërë nga programi televiziv “Report” është shumë i dëmshëm për reputacionin tim. Unë kam udhëzuar tashmë avokatët e mi italianë që të ngrenë një padi për shpifje kundër programit televiziv shtetëror italian. Burimet duhet të verifikohen dhe po ashtu edhe lajmet”.