May 1, 2024
Tirana, Albania
Politikë

“Më thonë je bërë diktator”, Meta u përgjigjet kritikëve të brendshëm: U ka pëlqyer të jenë në opozitë

Në takimet e bëra me delegatët, para Konventës Kombëtare të 27 prillit, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka bërë një analizë të rrugëtimit politik të partisë së tij, në të cilën evidentoi disa gabime. Nga qyteti i Durrësit, ai tha se partia, ish-LSI, sot Partia e Lirisë, ka bërë gabime më së shumti në funksionimin e brendshëm, ndërsa sa i përket vendimeve politike, Meta u kujdes të theksonte se i vetmi gabim është te djegia e mandateve.

“Kemi bërë shumë gabime në LSI, jo në vendime politike, përveç djegies së mandateve, por në funksionimin tonë, në meritokracinë tonë për shkak të nepotizmit, nepotizmi është një problem i frikshëm, PS i ka dhënë prioritet oligarkëve, pot ë kenë pensionistët 300 mijë lekë më shumë, si do vidhet”, u shpreh Meta.

Një përgjigje e pati edhe për kritikët e brendshëm të partisë.

“Disa persona që i kam mbështetur kam dëgjuar që jam bërë diktator, ndërkohë kur bëjnë një postim nuk kanë as 50 like, po duhet të kishte 3000-4000 jo vetëm like po komunikim me qytetarët. Unë kam parë arrogancë në pushtet, por arrogancë nga opozita, vetëm këto vite e kam parë. Mesa duket disa persona në opozitë ndihen komodë aty dhe duke bërë ndonjë flirt me bashkinë këtu e atje, me qeverinë e drejtorë dhe duke bërë dopio lojëra. Ne kemi nevojë për njerëz me karakter”, u përgjigj ish-presidenti.

Ai tha se pas 27 prillit do të ketë një aksion të ashpër politik me qëllim që të denoncojë korrupsionin e qeverisë.