Në seancën e Këshillit të Sigurisë në OKB, Aleksandër Vuçiç akuzoi vendet e perëndimit se vijojnë të mbështesin dhe mos ndëshkojnë Kosovën, edhe pse kjo e fundit nuk ka plotësuar kërkesat për ngritjen e asociacionit.
Lideri serb shtoi se me lëvizjet e fundit, qeveria e Kurtit synon krijimin e Shqipërisë së Madhe.
“Sot po flasim që t’iu kujtojmë se para 11 vitesh ka qenë marrëveshja më e rëndësishme e firmosur mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel. 11 vite më vonë edhe pse serbët kanë përmbushur detyrimet, asociacioni nuk është në horizont. Për të gjithë serbët në Kosovë, këto 11 vite kanë qenë 11 vite me premtime të papërmbushura. Më lejoni t’ju kujtoj se kjo seancë urgjente është mbajtur me kërkesë të Republikës së Serbisë, që institucionet e përkohshme të të ashtuquajturit. Kosova e udhëhequr nga Albin Kurti shkaktoi tensione. Serbia i paraqiti Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjithçka që ndodhi, dhunë ligjore, dhunë fizike dhe shënjestrim selektiv të serbëve në Kosovë.
Të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së vlerësuan se argumentet dhe ankesat tona të dorëzuara ishin në përputhje me faktet. Lëvizjet e pushtetarëve të Prishtinës prekin të gjithë në mënyrë të barabartë, pavarësisht moshës dhe gjinisë, dhe të gjitha brenda agjendës shoviniste që synon krijimin e Shqipërisë së Madhe”, tha Vuçiç.