Letrat e një prej alpinistëve dhe eksploruesve më të famshëm dhe fatkeq të Britanisë së Madhe janë publikuar në internet. Letrat nga George Mallory i cili u zhduk në malin Everest në vitin 1914, drejtuar gruas së tij Ruth, janë publikuar nga kolegji Magdalena i Universitetit të Kembrixhit.
Bëhet me dije se ai ishte 37 vjeç kur së bashku me partnerin e tij në eksplorim Andre Irwine u zhdukën në majën e malit më të lartë në botë. 75 vjet më vonë trupi i tij u gjet edhe pse ende nuk dihet nëse ka arritur deri në majën e malit. Letrat janë publikuar për 100 vjetorin e zhdukjes së tij, shkruajnë mediat e huaja.
“E dashur, të uroj më të mirën, uroj që ankthi yt të marrë fund. Është 50 me 1 kundër nesh, por ne do të jemi krenarë”, thuhet në letrën e fundit të Malloryt.
Letrat e tij përshkruajnë gjithashtu edhe misionin e parë të zbulimit në Everest në vitin 1921 dhe ekspeditën e dytë një vit më vonë. Me anë të shkrimeve, ai ka përshkruar edhe shërbimin e tij gjatë Luftës së Parë Botërore. Por, përveç letrave të Malloryt, është publikuar edhe letra e gruas së tij, e vetmja e mbijetuar nga ajo periudhë.
“Mendoj se e dua shoqërinë tënde edhe më shumë se dikur”, thuhet në shkrimin e saj.
Ndryshe, letrat e Malloryt janë falas për tu parë në faqen e internetit të kolegjit Magdalene. Maja e parë e dokumentuar e Everestit ishte në vitin 1953 nga alpinisti i Zelandës së Re Edmund Hillary dhe alpinisti tibetian Tenzian Norgay.