May 1, 2024
Tirana, Albania
Lajmi i fundit Sport

Tifozi i Celtic e kthen avionin që po shkonte në Turqi në arenë boksi

Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në një avion që ishte nisur nga Edinburgu në Skoci dhe sapo ishte ulur në Antalia të Turqisë.

 

Një pasagjer, i cili mbante veshur bluzën e skuadrës së futbollit të Celtic, është përleshur fillimisht me një tjetër pasagjer, më pas me anëtarët e bordit të avionit dhe forcat e sigurisë. Disa video, të kapura nga pasagjerët e tjerë në avion, janë bërë menjëherë virale në rrjetet sociale, të cilat tregojnë atë që ndodhi në bordin e avionit që sapo ishte ulur në aeroportin e Antalias.

 

Tifozi i Celtic godet me grusht një tjetër pasagjerë fillimisht, ndërsa në një moment duket se qetësohet përpara se të niste një tjetër sulm, këtë herë ndaj policisë që sapo ishte ngjitur në avion dhe ishte njoftuar për rastin. Në fund, ai u neutralizua, ndërsa pasagjerët e tjerë, disa prej të cilëve edhe fëmijë, kanë mbetur të tmerruar nga kjo ngjarje.

 

Një pasagjer që nuk kishte qenë shumë larg, ka thënë se tifozi i Celtic kishte konsumuar alkool gjatë fluturimit pasi kishte arritur të merrte fshehurazi një shishe Vodka. Anëtarët e stafit, thotë ai, tentuan t’ia merrnin shishen, por aty u përballën me rezistencë.