May 13, 2024
Tirana, Albania
Aktualitet Lajmi i fundit

Frika nga SPAK, zyrtarët hezitojnë të firmosin tenderat?!

Në vitin 2024 janë programuar të investohen 135 miliardë lekë (1,3 miliardë euro) niveli më i lartë historik që nga viti 1990, por në dy muajt e parë të këtij viti janë disbursuar vetëm 0,9 miliard lekë (8,8 milionë euro) që përbëjnë vetëm 0.6% të buxhetit vjetor. Juristët në entet publike pohuan se arrestimet e fundit të SPAK në nivelet e larta drejtuese e kanë rritur frikën te zyrtarët aktualë, të cilët nuk po firmosin aq lehtë sa më parë. Të dhëna ditore nga thesari tregojnë se pagesat kryesore janë për paga, pensione dhe pushtetin vendor, ndërsa pagesat më të mëdha janë bërë deri më tani ndaj tunelit të Llogorasë dhe investimeve të mëdha në infrastrukturën rrugore.

 

Por ndërkohë tenderat me vlera mesatare dhe më të vogla, të cilat duket se janë edhe më të manipulueshme, nuk po zhvillohen. Ndër vite është krijuar një grup i ngushtë kompanish që marrin tenderat në sektorë të caktuar të administratës. Mirëpo hedhja e firmës është bërë më e vështirë, duke lënë shumë sektorë publikë në vështirësi funksionimi. Në raportin vjetor për vitin 2023, SPAK evidentoi se korrupsioni në administratën publike është mjaft i përhapur në prokurime dhe koncesione PPP.

Kjo prirje u qetësua pas përfundimit të punimeve në Rrugën e Kombit nga 2008-2012, por nisi prirjen rritëse pas vitit 2014 e sidomos pas pandemisë, më 2020. Qeveria shqiptare po lëvron një kredi të Bankës Botërore prej rreth 87 milionë eurosh për “Zhvillimin e Financave Publike”, e cila kishte për qëllim të rriste efektivitetin e menaxhimit të buxhetit edhe në lëmin e buxhetit, por çështja e investimeve mbetet një pikë e nxehtë që duket se është përkeqësuar më tej.

 

Të dhënat zyrtare referojnë se në vitin 2014, rreth 28% e fondit të investimeve publike u alokua në dhjetor, nga 12% që ishte ky tregues në vitin 2013. Gati një e katërta e investimeve publike u çlirua gjatë muajit dhjetor, ndërmjet 2015-2020, por më 2022 rreth 43% e fondit të investimeve u alokua në dhjetor dhe më 2023, gati 38% e fondeve u përqendruan në dhjetor. Kjo prirje duket të jetë e njëjtë edhe këtë vit, pasi në dy muajt e parë të vitit 2024, fondet e investimeve kapitale nga fondet e brendshme ishin thuajse zero.

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit informoi këto ditë Kuvendin e Shqipërisë se investimet me burim të brendshëm financimi, e kanë realizimin e përqendruar kryesisht në muajt nëntor dhe dhjetor, duke ndikuar edhe në performancën e tyre.

 

“Janë konstatuar problematika në detajimin e projekteve të investimeve publike me akt normativ, pa kaluar në PBA 2022-2024, si dhe shkurtimin e fondeve të investimit në momentin e lidhjes së kontratës dhe rialokimin e këtyre fondeve drejt projekteve të tjera të investimit publik me detyrime të prapambetura, apo në proces nga vitet e kaluara”, vë në dukje Kontrolli i Lartë i Shtetit./ Monitor