Hetimit të kërkuar nga opozita për koncesionet në shëndetësi, maxhoranca iu përgjigj me të njëjtën monedhë. Plani i socialistëve i depozituar pranë komisionit, parashikonte nisjen e hetimit parlamentar duke filluar nga viti 2009,si marrjen në pyetje të gjithë ministrave të Shëndetësisë që nga viti 2006 deri në 2015, ku në numra dukshëm janë më shumë ato të qeverive Berisha.
Kjo kërkesë e shumicës arriti të miratohej pasi palët nuk gjetën dakordësi. Demokratët kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me dokumentin, nën argumentin se u kishte rënë në duar pak orë para nisjes së mbledhjes.
Përveç planit të hetimit, komisioni nuk arriti të miratonte as listën e kërkesave për informacion, pasi argumentin e mosnjohjes me shkresat, e përdori këtë herë maxhoranca e cila kërkoi gjithashtu kohë për t’i parë në detaj.
Mes toneve të larta të zërit për të shtyrë edhe këtë pikë të rendit të ditës, dhe refuzimit të Albana Vokshit për ta hedhur në votim, maxhoranca braktisi mbledhjen për pak çaste, çka detyroi kryetaren e komisionit të pranonte forcën e kartonit dhe të gjitha pikat e rendit të ditës u shtynë për mbledhjen e ardhshme.
Pikërisht të enjten komisioni parashikohet të miratojë edhe metodat e hetimit, ku socialistët kanë futur si risi intervistat e mbyllura me zyrtarët e qeverisë.