October 30, 2024
Ekonomi Lajmi i fundit

Mbi 5 700 vende të lira pune, mungojnë urat që lidhin nevojat e sipërmarrjeve me të rinjtë

Sipërmarrje që kërkojnë punonjës me dëshpërim, dhe të rinj që ankohen se nuk gjejnë punë. Me eksperimentin për të sjellë fuqi punëtore të huaj nga jashtë gati të dështuar, sytë e të gjithëve tashmë po shohin brenda vendit.

Por ende mungojnë urat që lidhin nevojat e tregut të punës me ata që enden në kërkim të një rroge. Për të zbutur këtë ngërç, Fakulteti i Ekonomisë është kthyer në rolin e ndërmjetësit duke organizuar një Panair Pune.

“Është i disati vit që ne bashkëpunojmë me FEUT. Jemi në kërkim të studentëve si në drejtim të punësimit të tyre ashtu edhe në praktikat mësimore që ne si kompani ofrojmë. Digicom po rritet dhe rrjedhimisht po shtohet nevoja për fuq punëtore,” shprehet Klara Leka, specialiste e Burimeve Njerëzore në Digicom.

“Sot jemi te FEUT, por nevojat janë edhe më shumë. Kompania jonë ka në thelb teknologjinë, fintech dhe na duhen shumë punonjës,” thotë Albana Beqiri, specialiste e burimeve njerëzore.

Bashkë me kompanitë e telekomunikacionit dhe atyre të mikrofinancës, në rritje janë edhe ato në fushën e shitblerjes së pronave. Rrjedhimisht duhen më shumë punonjës.

“Kemi nevojë për thuajse të gjitha pozicionet. Që nga menaxher, agjent, marketing. Besoj se këtu do të gjejmë elementë të mirë. Realisht rinia ne na duket e fjetur, po kam parë shumë interes nga këta të fundit,” shprehet për mikrofonin e A2 CNN, Ervin Demirxhiu, përfaqësues si një kompanie Real Estate.

Pjesë e grupit të të rinjve, me dëshirë madje të shtuar për t’u futur në tregun e punës është edhe Viola. Turizmi është synimi i saj.

“Duke qenes e jam nga Vlora dhe kam pasur eksperincë në banak, jam duke parë për punë në profilin e turizmin.” Viola Doko, studente.

Ka edhe nga ana që ndonëse e kanë një punë, e shfrytëzojnë panairin për t’u përditësuar me nevojat e tregut. Erjon Lleshi, student.

“Jam duke studiuar tregun dhe duke u përpjekur të krijoj lidhje të reja. Unë punoj part-time për një kompani auditi, por më pëlqen të kontrolloj se çfarë tregu ka nevojë.”

Kryesisht në Tiranë dhe qytetet bregdetare, aktualisht sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive janë mbi 5 mijë e 700 vende të lira pune.