Për herë të parë në pesë muaj, inxhinierët e NASA-s kanë marrë të dhëna të deshifrueshme nga “Voyager 1”. Sinjalet nga sonda më e vjetër e agjencisë hapësinore u morën pas aplikimit të nje zgjidhjeje kreative e cila mundësoi sërish komunikimin me të.
“Voyager 1” ndodhet aktualisht rreth 24 miliardë kilometra larg. Duke qenë se ka 46 vite në kozmos, sonda ka treguar disa veçori dhe shenja të “plakjes” në vitet e fundit.
Problemi i fundit nga Voyager 1 u shfaq për herë të parë në nëntor 2023, kur njësia e modulimit të telemetrisë së sistemit të të dhënave të fluturimit filloi të dërgonte një model të përsëritur kodesh të padeshifrueshme.
Sistemi i të dhënave të fluturimit të sondës mbledh informacion nga instrumentet shkencore të anijes kozmike dhe i bashkon ato me të dhëna inxhinierike që pasqyrojnë gjendjen e saj aktuale “shëndetësore.”
Ekipi në Tokë, i merr ato të dhëna në kod binar, ose një seri njësh dhe zero.
Por që nga nëntori, sistemi i të dhënave të fluturimit të “Voyager 1” ishte bllokuar. E teksa sonda ka vazhduar t’i transmetojë një sinjal radio të qëndrueshëm ekipit të saj të kontrollit në Tokë gjatë muajve të fundit, sinjali nuk kishte asnjë të dhënë të përdorshme.
Teksa proceson informacionin, ekipi në Tokë ka dalë në përfundimin se “Voyager 1” është i “shëndetshëm” dhe funksionon siç duhet.
“Sot ishte një ditë e mrekullueshme për Voyager 1,” tha Linda Spilker, shkencëtare e projektit Voyager në JPL, në një deklaratë.
“Ne jemi kthyer në komunikim me anijen kozmike. Dhe mezi presim të dekodojmë të dhënat shkencore.”