May 1, 2024
Tirana, Albania
Lajmi i fundit Sport

“Mërzitet” Sylvinho, gëzojnë futbollistët, UEFA merr vendimin e rëndësishëm para Europianit në Gjermani

Jo 23, por 26 lojtarë do të grumbullojnë kombëtaret që do të marrin pjesë në Kampionatin Europian Gjermani 2024.

BBC shkruan se në takimin e komitetit drejtues të garave në UEFA është votuar në favor të këtij ndryshimi, vendim i cili pritet të ratifikohet gjatë javës nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s.

Fillimisht, UEFA kishte njoftuar se ekipet në Euro 2024 do të shkonin me 23 lojtarë pasi në Euro 2020 kombëtaret kishin të grumbulluar 26 lojtarë për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe infektimeve të vazhdueshme të futbollistëve. Megjithatë, trajnerët bënë kërkesë që ky rregull të ndryshojë dhe të kenë mundësinë të grumbullojnë 26 lojtarë.

Kundër kësaj kërkese ishte trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, për të cilin do të ishte më mirë që në Europian të shkohej me 23 futbollistë, duke qenë se kjo do të favorizonte Kombëtaret e mëdha.

Në anën tjetër, ky vendim do t’ia bëjë atij më të lehtë listën finale dhe aty mund të ketë vend edhe për lojtarë si Daku e Manaj, të cilët ishin vënë në pikëpyetje.