Gjykata e Prishtinës ka dënuar me 62 vjet burg në total 6 të akuzuarit për përdhunimin e një të miture, një ngjarje që tronditi mbarë opinionin publik në Kosovë 2 vite më parë.
“Të akuzuarit B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S, M.R janë shpallur fajtor dhe janë dënuar nga gjykata, pasi kanë kryer veprën penale të dhunimit. I akuzuari B.RR është dënuar me dymbëdhjetë vjet heqje lirie, ndërsa të akuzuarit D.RR, B.S, M.S, F. S dhe M.R janë dënuar me nga dhjetë vjet heqje lirie”, shkruhet në njoftimin për shtyp të gjykatës.
Për ngjarjen e rëndë ishin akuzuar në total 8 persona, 2 prej të cilëve u lanë të lirë nga gjykata.
Ngjarja e denoncuar nga familja e viktimës dy vjet më parë, kishte nxitur reagime të ashpra të institucioneve dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Fillimisht autoritetet thanë se e mitura ishte përdhunuar në një park në Prishtinë, por hetimet treguan se ajo ishte abuzuar disa herë për një periudhë të gjatë.