November 27, 2024
Politikë

Pse mungon në tubimet kundër Veliajt? Basha: S’bëhet protestë me Ilir Metën

Lulzim Basha e konsideron Ilir Metën, arsyen kryesore pse ai dhe përfaqësues të PD-së zyrtare munguan në protestat që Aleanca për Teatrin, Rithemelimi dhe PL kanë organizuar para bashkisë së Tiranës, duke kërkuar dorëheqjen e Veliajt pas skandalit me tenderat në dosjen “5D”.

 

Në konferencën me gazetarët, Basha e pranoi që protesta është forma e duhur për t’u ngritur kundër korrupsionit me paratë publike, por refuzoi të bashkohet për sa kohë kreu i PL dhe njerëzit e tij qëndrojnë në krye të tubimit.

 

Sipas Bashës është hipokrizi që Ilir Meta del si Supermen në protestë, kur është ai që me LSI solli Edi Ramën në pushtet.

 

“Padyshim që protesta është e duhur, pro që protesta të jetë e besueshme nuk mund të bëhet protestë para bashkisë me Ilir Metën. Njerëzit e Ilir Metës kanë votuar në këshillin bashkiak rritjen e tarifave, kanë bërë lloj lloj gjërash, dhe tani ma nxjerr mua aty si Supermen dhe thua pse s’je në protestë. Ilir Meta solli në pushtet Edi Ramën në 2013, e mbajti në pushtet në 2017, tani ma nxjerr mua si Supermen aty, faqe e zezë.”

 

Në këtë drejtim, Basha kërkoi nga Rithemelimi që të reflektojnë dhe të bëhen të besueshëm për qytetarët duke u distancuar nga Meta, të cilin e konsideroi si përfituesin më të madh të pushtetit të Ramës.

 

“Që protestat të kenë besueshmëri dhe pjesëmarrjen që kanë patur duhet të reflektojnë ata që për interesa personale i vunë minat opozitarizmit. Jam kundër hipokrizisë, se i thërret njerëzit për një qëllim dhe i përdor për qëllim tjetër. Të thërrasësh protestë kundër korrupsionit në bashki dhe të vësh në krye të protestës Ilir Metën. A ka njeri që e kupton që ky është autogol. PD duhet të distancohet nga njerëz që me dyfytyrësinë e tyre janë autorët që sollën Edi Ramën në pushtet dhe përfituesit më të mëdhenj nga pushteti dhe këtë po e bëjnë për veten e tyre dhe jo qytetarët.”