October 9, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

Specialisti i Kadastrës, në qeli. Gjykata lë në burg Dritan Stokën për korrupsion në zgjedhje

Arrest në burg ka caktuar Gjykata e Posaçme për Dritan Stokën, specialistin e Kadastrës së Tiranës të arrestuar për korrupsion në zgjedhje.

Stoka është i vetmi që do të qëndrojë në qeli, nga katër personat e dyshuar. Ai akuzohet nga SPAK se iu premtonte qytetarëve kryesisht në zonën e Saukut që të votonin ndaj një subjekti politik në zgjedhjet e 2019-tës dhe në këmbim të ndikonte për të legalizuar banesat.

Për shkak të problemeve shëndetësore, gjykata i ndryshoi masën e sigurisë Agim Osmanit, kryeplakut të lagjes së re në Sauk. Nga ajo e arrestit në burg në arrest shtëpie.

Edhe ish-juristit të Kadastrës Alqi Hajdini iu ndryshua masa nga ajo e arrestit shtëpiak në garanci pasurore për shkak se duhej të kujdesej për fëmijët e tij të mitur që kanë probleme shëndetësore.

Ndërsa për Ylli Barutin nuk pati ndryshim mase dhe hetimet do të vijojnë në gjendje të lirë. Sipas Prokurorisë së Posaçme këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 2019-tës kanë kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të votuesve me qëllim ndikimin e tyre dhe përcaktimin e votës.

Shpërblimi i ofruar nga të akuzuarit mes të cilëve 2 ish zyrtarëve të Kadastrës, Dritan Stoka dhe Ylli Baruti ishte garantimi i vendit të punës ose nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut.