May 27, 2024
Bota Lajmi i fundit

“Gati të testojë NATO-n me një sulm”, ‘Kryespiuni’ polak: Putin mund të aneksojë pjesë të Suedisë dhe Estonisë

Rreziku i një përplasje direkte ushtarake midis Rusisë dhe NATO-s mbetet konsistent që pasi forcat e Moskës nisën pushtimin e Ukrainës. Perëndimi i druhet një sulmi të befasishëm nga Vladimir Putin dhe investimet miliardëshe në armatime të reja për Gjermaninë dhe krahun lindor të Aleancës e tregojnë këtë.

 

Javët e fundit anëtarët evropianë të NATO-s kanë paralajmëruar qytetarët se mund të jemi shumë pranë një sulmi të mundshëm rus.

 

Ndërkohë, sot shefi polak i spiunazhit, Jarosław Stróżyk, ka ngritur alarmin duke thënë se Putin mund të jetë duke përgatitur një operacion në shkallë të vogël në detin Baltik për të testuar kapacitetet mbrojtëse të NATO-s.

Sipas Stróżyk, nga sulmi i forcave ruse ka gjasa që Rusia të mund të aneksojë pjesë të Estonisë ose Suedisë.

 

Stróżyk tha se të gjitha parashikimet në lidhje me gatishmërinë e Rusisë për një sulm të mundshëm ndaj NATO-s bazohen në disa supozime që vijnë nga agjencitë, pa informacion të plotë. Por zyrtari i inteligjencës në Varshavë e pranoi se Putin tashmë është në gjendje të planifikojë një pushtim në shkallë të vogël.

 

“Putin tashmë është me siguri i përgatitur për një mini-operacion kundër një prej vendeve baltike, për shembull, për të hyrë në Narvan e famshme [komunë në Estoni] ose për të zbarkuar në një nga ishujt suedez. Ajo që Perëndimi po bën për të mbështetur Ukrainën i tregon atij se në rast të një sulmi ndaj NATO-s, përgjigja perëndimore do të ishte edhe më e madhe”, tha ai për Gazeta Prawna.

 

Ky paralajmërim i Spiunazhit polak vjen në një kohë kur Varshava ka dhënë dritën jeshile për të pritur armë bërthamore në kufijtë e saj nëse është e nevojshme.

 

Presidenti polak Andrzej Duda tha se vendi i tij do të marrë armët bërthamore nëse NATO ia kërkon, për t’iu përgjigjur kërcënimeve të Putinit.

 

“Rusia po militarizon gjithnjë e më shumë Kaliningradin. Kohët e fundit ajo ka zhvendosur armët e saj bërthamore në Bjellorusi. Nëse aleatët tanë vendosin të stacionojnë armë bërthamore në territorin tonë si pjesë e ndarjes bërthamore, për të përforcuar krahun lindor të NATO-s, ne jemi gati t’i pranojmë ato. Unë kam folur për këtë disa herë. Më duhet të pranoj se kur u pyeta për këtë, u shpreha gatishmërinë tonë.”