November 27, 2024
Sport

Paqe në Madrid, Reali dhe City dhurojnë show në Champions, Bayern “buzëqesh” në Londër

Emocione, gola dhe spektakël në dy ndeshjet e para çerekfinale të Champions League. Real Madrid barazoi 3-3 me Manchester Cityn në Estadio Santiago Bernabéu (Madrid), duke lënë gjithçka të hapur për aktin e kthimit. Takimi nisi me “marshin e pestë” për “Qytetarët”, të cilët realizuan që në minutën e dytë.

Bernardo Silva ekzekutoi shpejt një goditje dënimi, duke shtangur kështu madrilenët. Los Blancos përmbysën llogaritë menjëherë, për të treguar kështu forcën në kompeticionin më të rëndësishëm për klube. Camavinga vendosi ekuilibrat, i ndihmuar nga një devijim i Ruben Dias. Përmbysja u kompletua nga Rodrygo, në të 13-tën minutë.

Kampionët e Europës, pas shumë tentativash, u futën në lojë sërish me golin e Foden (66’), përpara se Gvardiol të linte gjurmë në këtë takim, me golin e 2-3. Valverde nuk e kishte thënë ende fjalën e tij në këtë ndeshje, goli i tij “vulosi” rezultatin përfundimtar në 3-3.

Barazim 2-2 i Arsenalit me Bayernin në Londër. Saka ndezi festën në stadium në minutën e 12-të, me një goditje të bukur. Kampionët e Gjermanisë përfituan në maksimum nga një gabim i anglezëve në të 18-tën, duke barazuar shifrat me një ish si Gnabry. Të besuarit e Tuchel fituan penallti dhe kthyen gjithçka në favor pas golit të Kane nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Bayern në pjesën e dytë provoi të menaxhonte rezultatin, duke u përpjekur që të shfrytëzojë pakujdesinë e Gooners në prapavijë. Një top i Gabriel Jesus rezultoi si penallti në lëvizje për Trossard, i cili ia doli të dërgojë topin pas shpinës së Neuer në të 78-ten. Me këtë rezultat, kualifikimi mbetet i hapur për ndeshjen e kthimit.