May 27, 2024
Bota

Aleancë ushtarake kundër Rusisë e Kinës, SHBA dhe Japonia bëhen bashkë. Peniani: Të jemi gati për luftë

Pak pasi Rusia dhe Kina, rikonfirmuan qëllimet për të fuqizuar bashkëpunimin ushtarak, SHBA bashkon forcat me Japoninë. Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri japonez Fumio Kishida shpalosën të mërkurën planet e bashkëpunimit ushtarak dhe projektet që nga raketat deri tek uljet në Hënë.

Synimi është që të forcohet aleanca përballë kërcënimeve nga Kina dhe Rusia. Konferenca e përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë nxori në pah rëndësinë në rritje të Japonisë në skenën botërore dhe për Shtetet e Bashkuara.

“Vendet tona po ndërmarrin hapa të rëndësishëm për të forcuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë. Po modernizojmë komandën dhe strukturat e kontrollit dhe do të rrisim ndërveprimin dhe planifikimet e ushtrisë sonë. Marrëveshja shënon arritjen më të  rëndësishme në aleancën tonë që prej krijimit të saj”, tha Joe Biden.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate, përfshirë Japoninë, kanë forcuar ushtritë e tyre përballë asaj që e shohin si një kërcënim në rritje nga Kina në Detin e Kinës Jugore dhe Detin e Kinës Lindore, dhe për të penguar çdo përpjekje të Pekinit për ta futur Tajvanin nën kontroll.

Kina e konsideron Tajvanin si territor të saj. Dy udhëheqësit u zotuan të mbështesin rendin ndërkombëtar të bazuar në sundimin e ligjit, përkundër rreziqeve që vijnë gjithashtu nga Rusia dhe Koreja e Veriut.

Në një sinjal të përshkallëzimit të tensioneve udhëheqësi koreano-verior Kim Jong Un lëshoi një paralajmërim të zymtë të enjten, duke thënë se tani ishte koha për të qenë më të përgatitur se kurrë për një luftë.

Ai e vuri theksin tek situata e ndërlikuar ndërkombëtare dhe tensionet gjeopolitike në rritje. Diktatori i Penianit është zotuar ti japë një goditje të fortë çdo kundërshtari që do të përpiqet ti sfidojë ushtarakisht.