Mali i Zi është shembulli që kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka përdorur sot për të thënë nga dritarja e banesës së tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, ku qëndron në arrest shtëpie, se kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani duhet arrestuar.
Duke ju referuar vënies në pranga nga Prokuroria Speciale në Podgoricë të ish-kryeprokurorit special, Millivoje Katniq, Berisha tha se edhe “Dumani i Tiranës meriton me kohë të ishte në burg sepse fle mbi dosjet monstruoze të krimit elektoral”.
“Sot Mali i Zi arrestoi Dumanin e tij, prokurorin special sepse e gjeti njëlloj si Dumanin e Tiranës. Dumani i Tiranës është një nga kriminelët më të shpifur në historinë e shtetit shqiptar, sepse ai është bërë mburojë e atyre që vendosën modelin e vjedhjeve 100%. Dumani i Tiranës është bërë mburojë i atij që firmosi për firmën e tij 8 për qind, një vit para se ajo të krijohej. Dumani i Tiranës meriton me kohë të ishte në burg sepse fle mbi dosjet monstruoze të krimit elektoral. Dumani është garanti kryesor i krimit monstruoz elektoral të qeveritarëve. Dumani që qëndron në karrige në mënyrë antikushtetuese, në vitin 2016 kishte të deklaruar 3 apartamente.”
Berisha më tej theksoi se kur drejtësia rreshtohet përkrah krimit dhe bëhet mburojë e krimit qeveritar, nga shqiptarët pritet vetëm zemërimi popullor dhe ai opozitar.
“Ftoj shqiptarët të marrin në dorë fatin e tyre. Kur qeveria të vjedh dhe gjobit nga mëngjesi në darkë, kur drejtësia shndërrohet në mburojë të shpifur të saj, çfarë mbetet për çdo qytetarët të ndershëm? Mbetet vetëm vendimi, vetëm guximi për të marrë në dorë fatin e tij. Zemërimi qytetar, revolta qytetarë, mosbindja qeveritare janë armët tona në betejën e fitores.”