May 1, 2024
Tirana, Albania
Bota Lajmi i fundit

Mitsotakis konfirmon Fredi Belerin si kandidat për eurodeputet i “Demokracisë së Re”

Ishte përfolur prej muajsh, por vetëm pasditen e sotme në aktivitetin që “Demokracia e Re” po organizon në Athinë, është konfirmuar se partia e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis do të kandidojë kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Alfred Beleri, për eurodeputet.

 

Beleri do të jetë në listën me 42 kandidatë, edhe pse ndodhet pas hekurave në Shqipëri, ku me vendim të Gjykatës së Posaçme është dënuar me dy vite burg për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim.

 

Emri i tij dhe ai i Eleonora Meletit ishin surprizë në listën e “Demokracisë së Re” dhe u bënë të ditur pak më parë në aktivitetin special të organizuar nga partia për prezantimin e fletës së votimit për zgjedhjet europiane të 9 qershorit.

“Fredi Beleri nuk mund të bëjë fushatë. Por emërimi i tij është një nominim me një simbolikë shumë të fortë”, nënvizoi Aristotelia Pelonis teksa prezantonte kandidaturën e tij, ndërsa të pranishmit janë ngritur në këmbë dhe duartrokitën për kryebashkiakun e burgosur të Himarës.

 

I pranishëm në aktivitetin që po zhvillohet në Konservatorin e Athinës është edhe vëllai i tij, Leonardo Beleri.

 

 

Ndërkohë, midis 42 kandidatëve për eurodeputetë të partisë së Mitsotakis është edhe medalisti olimpik i minoritetit, Pirro Dhima.

 

Ky i fundit, në fjalimin e tij tha: “Më jep forcë, siç ngre peshat për Greqinë, të luftoj për të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Për vëllezërit dhe motrat tona. Epiri i Veriut, ne do të japim gjithçka”.

 

Duke iu drejtuar djalit të Fredi Belerit, ai tha: “Petro, babi do të shpallet i pafajshëm”.