November 27, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

Trafik droge në Europë, SPAK sekuestron 10 llogari bankare e 7 troje të 3 vëllezërve Hoxha

SPAK vendosi nën sekuestro 10 llogari bankare, me 94 mijë euro dhe 145 mijë lekë në total dhe 7 sipërfaqe trualli në pronësi të 3 vëllezërve nipit të tyre, pas dyshimeve se janë siguruar nga aktiviteti kriminal. Prokuroria e Posaçme tha se pasuritë në fjalë i përkasin vëllezërve Zamir, Vladimir, Dilaver, Mentor dhe nipit Alfonc Hoxha ne Velipojë dhe Shkodër.

 

Sipas SPAK, Zamir Hoxha është hetuar si pjesë e një grupi kriminal të trafikimit të drogës në Danimarkë Belgjikë, Holandë, Suedi, Norvegji e Gjermani në 2018-2019. Grupi drejtohej nga Jetmir Kastrati, i njohur edhe si Sokol Krasniqi dhe pjesa më e madhe e anëtarëve janë fajësuar nga autoritetet gjyqësore në Danimarkë.

 

Po ashtu, vëllezërit Hoxha para vitit 2012 janë hetuar e fajësuar për trafik droge e favorizim prostitucioni në Itali. Ndërsa nipi i tyre, Alfonc Hoxha, është arrestuar në Gjermani në vitin 2020 për “shkelje të ligjit për lëndët narkotike”.