Me 110 vota pro Kuvendi ka miratuar në tërësi amnistinë penale. Amendamentet e Gazment Bardhit u miratuan, ndërsa u rrëzuan amendamentet e Enkelejd Alibeajt. Projektligji i amnistisë penale u bë mollë sherri në Kuvend mes Partisë Demokratike zyrtare, Rithemelimit dhe qeverisë. Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Basha e quajtën draftin e dakordësuar mes Rithemelimit dhe PS-së si pazar.
“Amnistia u mbajt peng. Ne kishim dy kushte, mos të përfitonin të dënuarit nga GJKKO, ky nuk është propozimi që vjen sot nga ne dhe ne nuk do të votojmë. Në këtë propozim ka një sërë veprash penale që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve e prokurorëve dhe gjyqtarëve, korrupsionin në tendera dhe korrupsionin zgjedhor, të cilat nuk përjashtohen nga përfitimet e kësaj amnistie. Këto nuk janë imagjinatë. Këto janë fakte të publikuara nga PD dhe të raportuara nga media jashtë kontrollit të qeverisë. Këto vepra penale nuk mund të përfitojnë amnisti”, tha Basha.
Por Gazment Bardhi dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhanë garanci se asnjë prej subjekteve të SPAK dhe Gjykata e Posaçme nuk do përfitojë.
“Nga kjo amnisti përfitojnë 1100 të dënuar me burgim, nga të cilët 700 do të lirohen menjëherë sapo ligji të hyjë në fuqi, ndërsa 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi. 2700 persona në shërbim prove do të jenë përfituesit nga kjo amnisti. Dua të jem i qartë dhe i drejtpërdrejtë, nga kjo amnisti nuk do të përfitojnë personat e dënuar me burgim të përjetshëm, që i shmangen drejtësisë dhe nuk përfitojnë as nga amnistia por as ulje dënimi personat e dënuar nga GJKKO. Do të përfitojnë personat të cilëve iu ka marrë formë të prerë vendimi deri në datën 31.03.2024, dhe ky është shtyrja e afatit e marrjes së formës së prerë të vendimit sigurisht është pjesë e amendamentit të propozuar nga zoti Bardhi. Po ashtu nga varianti fillestar i amnistisë së miratuar në komisionin e Ligjeve, përfitojnë të dënuarit burra që iu kanë mbetur pa vuajtur më pak se 4 vjet ose që janë dënuar deri në 4 vjet, të dënuarat gra me vendim të formës së prerë deri në 5 ose që iu kanë ngelur pa vuajtur 5 vjet nga dënimi”, tha ministri Manja.
Nga Amnistia, sipas Manjës do të përfitojnë 700 të dënuar, të cilët do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Ai tha në Kuvend se do të pushohen menjëherë 232 çështje të protestuesve të opozitës, e po ashtu do të përfitojnë personat të cilët kanë vendim të formës së prerë deri në datë 31 mars 2024.
“Do të përjashtohen të gjitha kallëzimet që ndodhen në organet përkatëse, për disa lloje veprash penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të zhvilluara deri në datën 31/03/2024. Çka do të thotë, për protestuesit e opozitës, pa dallim ndarjesh në kohë, por për një kategori veprash penale, të cilat janë listuar dhe lidhen me këto kategori, do të kemi pushim të ndjekjes penale, në çdo fazë të hetimit apo të gjykimit, për këto kategori. Se cilat janë veprat e listuara, zoti Bardhi do t’i propozojë në amendamentin e tij që do t’i parashtrojë këtu pas meje, kjo do të jetë sa i takon ndjekjes penale. Më lejoni t’ju jap një shifër, që e kemi të rakorduar me organin e akuzës, janë 232 çështje penale që do të përfitojnë nga kjo amnisti, sa i takon ndjekjes penale. Flasim për çështje, sepse numri i personave që përfitojnë është në disafish, ka një çështje penale me 10, 15 apo 20 persona që kanë qenë në hetim apo gjykim. Janë 42 gra të dënuara dhe 28 të mitur, dhe 31 gra me masë mjekësore për shkak se kanë kryer një vepër penale. Nuk është i madh numri i grave që përfitojnë nga kjo amnisti, por numri i grave që përfitojnë nga një vit në dy është shumë i madh dhe kjo do ju jap mundësinë që në shtator të këtij viti brenda një periudhe për një kategori të veprave penale të përfitojnë dhe të lirojnë një numër i konsiderueshëm i grave dhe vajzave që aktualisht po vuajnë dënimin. Ndërsa, numri i të miturve që përfitojnë menjëherë është 11, të cilët lirohen“, shtoi ministri i Drejtësisë.
Në seancën e sotme Kuvendi miratoi edhe projektligjin për koncesionet e partneritetin publik privat, projektligjin për turizmin, ndërsa projektligji për konkurrencën nuk u miratua pasi mori vetëm 3 vota pro dhe 112 kundër.
Leave feedback about this