Komisioni Hetimor i ngritur për ndërhyrjet në sistemin TIMS i ka nisur drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku një kërkesë në lidhje me emërimin e Ervin Muçës si drejtor i IT-së. Komisioni i ka kërkuar Rrumbullakut shpjegime, se si ish-drejtori i Departamentit të IT-së, është emëruar me gradën “drejtues i parë” pranë uniformave blu. Më tej i kërkohet të tregojë si dhe kur është vënë në dijeni për skandalin e sistemit TIMS.
Burime pranë policisë bëjnë me dije se Rrumbullaku është vendosur në dijeni nga një vartës i Ervin Muçës, i cili përmes një emaili e ka vendosur në dijeni për praktikën e paligjshme të kopjimit të të dhënave të TIMS. Pas këtij vendimi, Rrumbullaku e ka pezulluar për pak ditë Muçën dhe më pas e riktheu në detyrë, post që e mbajti deri pak ditë më parë kur u pezullua me vendim gjykate dhe u la në “arrest shtëpie”. Ndër të tjera ky komision kërkon të dijë për mënyrën e emërimit të Besjon Tanuzit, Ervina Gjanës dhe Enri Ndonit, pasi dyshohet se janë të përfshirë në skandalin e TIMS.
Ngritja e këtij komisioni dhe Komisionit për Konçesionet e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale dhe kontrolleve ‘Check-Up’ në shëndetësi”, u dakordësua mes PD dhe PS pas arritjes së një pakti politik që i dha fund protestës së opozitës në Kuvend. Por, këto komisione kanë një ecuri të ngadaltë të punës që prej krijimit, për shkak të përplasjeve politike, debateve për procedurë ose refuzimit të socialistëve për të marrë pjesë në mbledhje. Puna e dy komisioneve ka një afat 4-mujor pune, i cili përfundon në muajin korrik.