Drejtori i Teknologjisë së Informacionit (IT) në Policinë e Shtetit në Shqipëri, Ervin Muço, u la në “arrest shtëpiak”, dy ditë pasi u arrestua për shkk se dyshohet se ka ndërhyrë në sistemin që regjistron hyrje-daljet e qytetarëve në pikat kufitare.
Prokuroria e Tiranës tha se ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak dhe të pezullimit të ushtrimit të detyrës, pasi po e heton për “hyrje të paautorizuar” në sistemin e njohur si TIMS. Sipas Prokurorisë, ngjarja dyshohet se ka ndodhur në gusht të vitit të kaluar.
Gjithashtu, hetimet e deritashme tregojnë se drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit është këshilltar i jashtëm i drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës – gjë të cilën Ligji për Policinë e Shtetit nuk e lejon.
Sipas Prokurorisë, Muço nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikuese për pozicionin e drejtorit të IT-së në Policinë e Shtetit.
Po kujt i shërbeu Ervin Muça me krimin kibernetik? A ka lidhje Rrumbullaku në këtë çështje?
Këto janë pyetje që lindin rëndom, duke pasur parasysh faktin se ishte pikërisht Rrumbullaku, ai i cili e emëroi Muçën në këtë pozicion, dhe po ai që e shkarkoi?
Dhe me të drejtë lind pyetja: Pse e shkarkoi pikërisht tani që u zbulua gjithçka e jo më parë? Për shkak se kishte mbaruar punë me “detyrën” e lënë nga dikush?
Muça ka një njohje personale tepër të ngushtë me djalin e kreut të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, Endritin, i cili po ashtu është IT dhe ka gjasë që ata të dy të jenë të përfshirë së bashku në këtë skandal.
Pikëpyetjet e mëdha lindin gjithashtu edhe për faktin se Muhamet Rrumbullaku ka një njohje të vjetër personale e shoqërore me të atin e Muçës.
Si lindi skandali? Çfarë e çoi Prokurorinë në gjurmët e Ervin Muçës?
Një denoncim i shpërndarë për mediat në fillim të gushtit të vitit të kaluar paralajmëroi një skandal thuajse të pabesueshëm, në lidhje me cënimin e të dhënave sekrete që zotëron policia nga vetë drejtuesit e saj.
Fakti që denoncimi u shpërnda përmes një e-maili anonim hidhte dyshime mbi vërtetësinë e tij, por informacione konkrete që përmbante dokumenti raportonin për një akt të pastër kriminal në zyrat e shtetit nga shefat e porsaemëruar të policisë.
Sipas këtij e-maili të shkruar nga një dëshmitar okular i krimit në fjalë, Drejtori i Departmentit të Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit Ervin Muça kishte nxjerrë jashtë zyrave të policisë nëpërmjet një USB bazën e të dhënave të TIMS.
Dhe vetëm tetë muaj më pas, prokuroria e Tiranës njoftoi arrestimin e Ervin Muçës, drejtori i IT në Ministrinë e Brendshme të drejtuar nga Taulant Balla.
Sipas prokurorisë, Muça akuzohet se në 2 gusht të vitit 2023 “në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit me adresë Rr. Mine Peza në Tiranë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, E.M.
Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin”.
Pozitat e Ervin Muçës rëndohen edhe nga fakti se në vitin 2007, në Itali është raportuar për falsifikim të dokumentave. Përveç kësaj, rezulton se Muça mbante edhe një punë tjetër si këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Pse mbrohet kaq shumë Ervin Muça? Kush e mbron kaq shumë, edhe pse i “përlyer” në kaq shumë skandale?
Duhet thënë se, kjo nuk do të ishte hera e parë që Ervin Muça përfshihet në një skandal për vjedhjen e të dhënave sensitive. Në fillim të vitit 2022, emri i tij shfaqet në hetimet e rrjedhjes së listës së pagave në dosjen hetimore të prokurorisë së Tiranës.
Ervin Muça ishte shefi i dy specialistëve të IT në tatime, që u dënuan për shitjen e listës së pagave. Ai u përfshi në hetimet e prokurorisë, por siç duket doli pa u lagur dhe u rikthye si Drejtor i Departmentit të Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit, menjëherë sapo ministër u emërua Taulant Balla.
Pas denoncimit në media të vjedhjes së të dhënave të TIMS, Muça mohoi ndërhyrjet duke i quajtur “gomerë” ata që e akuzonin. Sipas tij, vjedhja e të dhënave nga TIMS me një USB ishte e pamundur dhe se ndërhyrja që ai kishte kryer ishte thjesht një “back-up” që sistemi të mos binte si në rastin e sulmit nga iranianët.
“Puna ime, nuk ka kaluar kurrë asnjë milimetër përtej përgjegjësive që më ngarkon detyra, e jo më të bëhem aktor filmash 007 me “vjedhje” materialesh mijëra TB në USB xhepi. Duhet të jesh shumë injorant ta shkruash këtë, dhe kush e di sa injorant të ndërtosh skenarë të tillë”, shkruante Muça.
Hamendësimet e para ishin se qëllimi i vjedhjes së të dhënave nga drejtori për teknologjinë në Ministrinë e Brendshme ishte shitja e këtyre të dhënave tek bandat kriminale. Por kur atë e morën në mbrojtje nga “ata lart”, çështja mori nuanca politike dhe u pa si një “punë e brendshme” e qeverisë.
Mbrojtja “nga lart” e Ervin Muçës dhe mbajtja e këtij skandali kaq hermetik sikur të mos kishte ndodhur asgjë e rëndë, ngre disa pikëpyetje.
A ishte vjedhja e të dhënave të sistemit TIMS një operacion i krimit me pushtet?
Pse duhej të përfshihej kryeministri në mbrojtjen e një drejtori që po hetohej nga policia dhe që kishte një precedent në rrjedhjen e të dhënave personale?
Cili ishte qëllimi i eksportimit të të dhënave të sistemit TIMS?
Ndërhyrjet në TIMS, Prokuroria e Tiranës kërkon “arrest në shtëpi” për drejtorin e IT
Hetimi tani është zgjeruar, pasi opozita ka ngritur një komision hetimor për skandalin që përfshiu Ministrinë e Brendshme dhe ku opozita kërkon dëshmi si nga Taulant Balla, ashtu edhe nga Edi Rama.
Të gjitha këtyre pyetjeve ne nuk mund t’i përgjigjemi, por dikush “lart” duhet të mbajë përgjegjësi e të flasë për këtë skandal të përsëritur.
E deri atëherë, të presim nëse do të marrë përgjigje, apo nëse do të harrohet e do të kamuflohet me një tjetër skandal të radhës, që do të bënte të harronim atë paraardhësin…
REDAKSIONALE SHQIP NEWSS