May 13, 2024
Tirana, Albania
Kosova

“Mosnjohja nga Serbia, pengesë kyçe”, tensionet në Kosovë hynë në fazë të re, Serbia drejt autoritarizmit

Problemet me Serbinë konsiderohen si pengesë kyçe në rrugën e Kosovës përpara. Në këtë përfundim arrin raporti i “Freedom House” i vendeve në tranzicion 2024. Kosova mbetët në të njëjtin pozicion si viti i kaluar, dhe në një shkallë vlerësimi ku 1-shi paraqet nivelin më të ulët drejt përparimit demokratik dhe 7-a më të lartin, vijon të ketë 3.29 pikë.

Sipas “Freedom House” mospajtimet me Serbinë gjatë vitit 2023 hynë në një fazë të re të përshkallëzimit të tensioneve. Raporti përmend protestat e dhunshme të majit në veriun e Kosovës si dhe sulmin e armatosur në Banjskë në shtator.

“Kryeministri Albin Kurti ka nisur proces të ri vetingut për gjyqtarët. Mirëpo, refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës vazhdon të jetë barrierë e madhe për demokratizim. Pavarësisht marrëveshjeve të arritura mes dy qeverive në fillim të vitit 2023, vitin e ka përcjellë jo stabiliteti dhe përshkallëzimi i dhunës së nxitur pjesërisht prej lidhjeve jozyrtare të Beogradit me grupet e organizuara kriminale”.

Sipas raportit, përplasjes mes Kurtit dhe partnerëve ndërkombëtare dhe mungesa e konsultimeve me komunitetin serb ka ndërlokuar përpjekjet e qeverisë për t’u çliruar nga sfida afatgjatë.

“Në shumë vende por sidomos në ato të Ballkanit Perëndimor” konstaton organizata, liderët politikë po e shfrytëzojnë fokusin më të madh në sigurinë rajonale si arsyetim për t’i përmbysur institucionet demokratike dhe për t’i shmangur normat demokratike.

Serbia ka rënien më të madhe në nivelin e demokracisë gjatë vitit të kaluar, diçka që i atribuohet përpjekjeve të Vuçiç për të konsoliduar pushtetin. Siç thuhet, vendi është drej shndwrrimit në një regjim gjysmë te konsoliduar autoritar.