Policia e Shtetit ka reaguar pasi Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për drejtorin e Departamentit dhe Teknologjisë së Informacionit në policinë e Shtetit, Ervin Muça. Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në DPPSH, të pezullojë menjëherë nga detyra drejtuesin e Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Muça.
Lidhur me këtë, më parë, AMP tha se ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë dhe se ka dyshime të arsyeshme, se në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit është ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar nga Drejtori i Departamentit të Teknologjisë Informacionit dhe persona të tjerë.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në DPPSH, të pezullojë menjëherë nga detyra drejtuesin e Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Muça.
Më datë 09.04.2024, Drejtori i Përgjithshëm është njohur me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe urdhrin e ekzekutimit të Prokurorisë Tiranë, për masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të caktuara për këtë shtetas.