May 13, 2024
Tirana, Albania
Kronikë Lajmi i fundit

U tradhtua nga një foto e postuar në “Instagram”/ Si arritën vrasësit në gjurmët e modeles ekuadoriane, e dashura e porositësit të vrasjes së Ergys Dashit

Një postim në Instagram me një foto të ushqimit që po konsumonte duket se është ajo që ka tradhtuar modelen ekuadoriane e cila u vra në mes të ditës në një restorant disa ditë më parë. 23-vjeçarja, Landy Parraga kishte postuar për 173 mijë ndjekësit e saj në Instagram një foto të pjatës me oktapod që kishte porositur, ditën e 28 prillit.

Në foton e postuar ishte dhe emri i restorantit ku ndodhej ish-Miss Ekuadori, që dyshohet se kaq ka mjaftuar që vrasësit e saj të gjenin shumë lehtë se ku ndodhej ajo dhe ta ekzekutonin. Pak pas postimit Parraga pa dy persona të maskuar që hynë në restorant dhe e ekzekutuan.

Mediat ekuadoriane e lidhin ekzekutimin e saj me njërin prej narkotrafikantëve më të mëdhenj të vendit, siç është Leandro Norero. Ky i fundit u vra gjatë revoltës në njërin prej burgjeve të vendit në tetor të vitit të shkuar duke iu prerë koka. Ai ishte një ndër trafikantët më të mëdhenj në vend dhe njihej me pseudonimin “El Patron”. Mediat përfolën emrin e tij si personi që porositi vrasjen e Ergys Dashit në Ekuador dy vite më parë, ndërsa njihej edhe si financues i tre grupeve kriminale: Los Lobos, Los Tiguerones dhe Los Chones.

Ndërkohë Parraga, e cila kishte më shumë se një milion ndjekës në llogaritë e saj të mediave sociale, si dhe linjën e saj të veshjeve sportive, u bë kryefjalë dhjetorin e kaluar kur emri i saj u përmend në një bisedë midis “El Patron” dhe llogaritarit të tij, Helive Angulo.

Gjatë gjyqit të Angulo-s, prokurorët zbuluan se Norero i ishte lutur Angulos në një mesazh të vitit 2022 për të ndihmuar në mbajtjen e lidhjes së tij me mbretëreshën e bukurisë të fshehur pasi llogaritari tha se policia e kishte pyetur për marrëdhënien e tyre. Edhe pse financat e Parraga ishin nën hetim nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, ajo nuk u ndoq kurrë penalisht për një krim dhe nuk kishte bërë kurrë ndonjë koment publik për rastin ose lidhjen e saj me Norero dhe organizatën e tij.