Prokuroria e Tiranës në vijim të hetimeve për ndërhyrjet në sistemin TIMS ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për drejtorin e IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.
Po ashtu organi akuzës kërkon dhe pezullimin e tij nga detyra, pasi e akuzon për eksportimin e të dhënave të sistemit TIMS. Sipas prokurorisë Muça akuzohet se ka kryer veprën penale të parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.
Hetimi për këtë çështja ka nisur nga një referim i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, pasi dyshohet se Muça në datën 2 Gusht të vitit të kaluar në orët e vona të natës ka eksportuar në një hard disk të jashtëm të dhënat e TIMS.
Lidhur me kërkesën e prokurorisë ka reaguar dhe drejtuesi i Komisionit Hetimor për TIMS, Ervin Salianji, i cili në një postim në mediat sociale e konsideron arrestimin e Muçës si konfirmim i denoncimeve të opozitës. Ndërhyrjet në TIMS shqetësuan dhe ambasadën e SHBA, ku i ngarkuari me punë McDowell gjatë një takimi në Gusht me ministrin Balla kërkoi hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm.