May 27, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

EMRI/ Ndërtoi pa leje pallatin 7 katësh në Sarandë, dënohet me 2 vjet burg biznesmeni

Gjykata e Sarandës ka dënuar me 2 vite burg biznesmenin Pando Papuçi. Ai u shpall fajtor për “ndërtim të paligjshëm” të një pallati 7 katësh. Krahas dënimit, gjykata ka vendosur konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të një objekti në hyrje të Sarandës.

Në një deklaratë zyrtare për shtyp, Gjykata e Sarandës shprehet se Papuçi ndiqej penalisht në kuadër të procedimit penal nr.774 të vitit 2021 bashkë me tre persona të tjerë të akuzuar për “shpërdorim detyre”.

Dosja në ngarkim të Papuçiut është ndarë nga tre të tjerët dhe është gjykuar më vete me gjykim të shkurtuar, ndërkohë që për të tjerët, ish zyrtarë, vazhdon ende.
Prokurorja Silvana Belishta në përfundim të Gjykimit ka kërkuar deklarimin fajtor të Papuçiut dhe dënimin e tij me 5 vite burg për “ndërtim të paligjshëm”, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar, uljen e 1/3 së dënimit dhe pezullimin e tij duke e dënuar me shërbim prove.

Përveç kësaj, Belishta ka kërkuar edhe heqjen e sekuestros preventive ndaj pallatit 7 katësh dhe vijimin e procedurave administrative si dhe dënimin e shoqërisë “2P-SJ” me “mbarimin e personit juridik”.

Por ndryshe ka vendosur gjyqtarja Edona Vajushi, e cila e ka dënuar Papuçiun me 3 vite burg dhe në aplikimin e gjykimit të shkurtuar me 2 vite burg. Dënimi sipas vendimit, duhet të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. Vajushi ka vendosur konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pallatit 7 katësh dhe dënimin e shoqërisë “2P-SJ” me “mbarimin e personit juridik”.

Tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Apelit për të marrë formë të prerë vendimi si për Papuçiun, ashtu edhe për objektin e firmën e ndërtimit.
Pando Papuçi ishte shpallur në kërkim prej 21 shkurtit 2022 në kuadër të operacionit “Heshtja” për veprën penale “ndërtim i paligjshëm”, lidhur me një pallat 7 katësh në hyrje të qytetit të Sarandës, por u vetëdorëzua në 9 shkurt 2024 e më pas Gjykata e la atë në masën “detyrim paraqitje”.