Prej dy orësh opozita ka protestuar para Bashkisë së Tiranës, ku është kërkuar dorëheqja e Erion Veliajt pas skandalit korruptiv të dosjes “5D”, për të cilin SPAK ka çuar pas hekurave disa ish-zyrtarë të institucionit.
Tubimi agravoi rreth një orë pas nisjes, teksa në drejtim të derës kryesore të bashkisë u hodhën molotovë, ndërsa policia nxitoi të shuante flakët.
Më pas, këshilltarët e PD-së së Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë tentuan të hyjnë brenda institucionit, duke e cilësuar të sotmen një ditë normale pune. Tedi Blushi dhe Dorian Teliti i kërkuan llogari Drejtorit të Policisë së kryeqytetit, Tonin Vocaj, se përse nuk lejohen të hyjnë në zyrë për të ushtruar detyrën.
“Kanë bunkerizuar bashkinë dhe i kanë vendosur zinxhirë derës. Drejtori i Policisë na jep arsyen përse nuk po na lini të hyjmë në godinë e të kryejmë detyrën”, tha Teliti duke iu drejtuar Vocajt.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i PL Tedi Blushi me një flamur kombëtar në dorë u hodh mbi skafandrat e efektivëve të policisë, duke tentuar disa herë të çajë kordonin por tentativat ishin të pasuksesshme.
Drejt fundit të protestës një grup protestuesish provoi të zhvendosë gardhin metalik që rrethon kordonin e policisë, por efektivët ndërhynë për t’i ndaluar.