October 2, 2024
Kosova Lajmi i fundit

“Lëvizjet të trajtohen me seriozitet”, Kosova kërkesë NATO-s: Ushtria serbe në kufi, një kërcënim

Shefja e operacioneve të NATO-s zbarkoi në Kosovë. Në zyrë e priti ministri i mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ky i fundit e njoftoi zyrtaren e aleancës ushtarake, Ariella Viehe, me zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe planet për të ardhmen.

“Gjatë takimit gjithashtu biseduam për gjendjen e sigurisë në Kosovë, dhe theksova faktin që vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënimin të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit, e që duhen trajtuar me seriozitet lëvizjet e tilla të Serbisë edhe nga ana e NATO-s”, tha Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes.

Ministri i mbrojtjes nënvizoi më tej se institucioni i tij do të vazhdojë koordinimin dhe bashkëpunimin e ngushtë me KFOR-in dhe Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s. Maqedonci bëri të qartë se objektivi i FSK është anëtarësimi në NATO, në mënyrë që të ofrojë kontribut aktiv në misionet për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes.

Ndërkohë, aleanca ushtarake e atlantikut të veriut ka bërë disa ndryshime në Prishtinë. Gjenerali Christian Naërat ka marrë përsipër detyrën e drejtorit të Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s nga gjenerali Ralf Hammerstein, i cili ka udhëhequr këtë zyrë që nga muaji mars 2023. Hammerstein tha se gjatë kësaj periudhe, ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me organet e sigurisë në Kosovë.