November 27, 2024
Ekonomi

Do ulet tatimi i pagave, përfitojnë të rinjtë deri në 29 vjeç dhe prindërit me fëmijë nën 18 vjeç

Të punësuarit deri në 29 vjeç dhe prindërit që kanë fëmijë nën 18 vjeç do të paguajnë më pak taksa. Nisma e re e qeverisë, e prezantuar nga ministri i Financave Ervin Mete synon të tatojë më pak pagat e tyre.

“Nëse një i ri deri në moshën 29 vjeç do të punësohet, ne do t’i lejojmë që të ketë zbritje nga detyrimi tatimor vetëm për shkak të moshës, në mënyrë që të nxisim punësimin e tyre.”, ashtu siç do të lejojmë zbritje të posaçme nga detyrimi tatimor për fëmijët në kujdestari nën moshën 18 vjeç, sepse sigurisht që dikush që merr të ardhura dhe ka 1, apo dy fëmijë në ngarkim, nuk është në të njëjtat pozita me dikë që i merr ato të ardhura dhe nuk ka fëmijë në ngarkim”, u shpreh ministri Mete.

Ministri i Financave Ervin Mete tregoi edhe se sa dhe kur do të rriten pagat për mësuesit, infermierët, mjekët dhe pjesën tjetër të administratës publike.

“Me rritjen e pagave që do bëhet në qershor, sektori i arsimit merr mbështetjen më të madhe nga të gjithë sektorët e tjerë, me afro 110 mln euro që shkojnë vetëm për pagat në sistemin arsimor. Rritja kumulative vetëm në 2 vitet e fundit shkon nga 35% deri në 60% për mësuesit. Sigurisht që kjo përkthehet në një edukim më cilësor që është investim për ne në kapitalin njerëzor të të rinjve dhe të qytetarëve të ardhshëm nesër të Shqipërisë”, shtoi ministri.

Ndërkohë aktualisht Ministria po diskuton edhe për rritjen e pragut të pagave që paguajnë 23 për qind tatim, nga mbi 200 mijë lekë që është aktualisht për ta çuar në 250 mijë lekë.