October 2, 2024
Politikë

15-vjetori i anëtarësimit në NATO, Peleshi në Bruksel: Të palëkundur në mbështetjen ndaj Aleancës

Me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancën e NATO-s, në Bruksel u organizua një ceremoni e veçantë, ku i pranishëm ishte edhe Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse me rastin e këtij përvjetori Ministri Peleshi vlerësoi se kjo aleancë qëndron sot, ashtu si 75 vjet më parë, si një fener për parimet e demokracisë, lirisë individuale dhe shtetit të së drejtës.

Peleshi theksoi, gjatë fjalës së tij mbështetjen e qartë të vendit tonë ndaj kësaj aleance, ndërsa vuri në dukje edhe përpjekjet që i janë dashur Shqipërisë ndër vite të renditet mes aleatëve të saj në NATO, ku sot ka një rol të vlerësuar tejet pozitivisht.

“Sot, ne mbetemi të palëkundur si një aleat krenar, i besueshëm dhe i angazhuar ndaj agjendës politike, institucionale dhe ushtarake të NATO-s. Do të vazhdojmë të përmbushim që të tria detyrat thelbësore të NATO-s, ashtu siç kemi bërë kurdoherë e kudo që ka qenë e nevojshme të radhitemi krah për krah me Aleatët dhe Partnerët tanë”, u shpreh Peleshi.

Shqipëria, vijoi gjatë fjalës së tij Peleshi, nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të vazhduar kontributin në Aleancë, teksa vendet përballen me një mjedis më të pasigurt dhe të rrezikshëm të sigurisë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

“Nëse rajoni tani gëzon stabilitet dhe prosperitet më të madh, kjo është edhe për shkak të rolit të NATO-s në ndalimin e masakrave dhe spastrimit etnik të viteve 1990, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. Ne nuk duhet të lejojmë që fitoret që kemi bërë të zhbëhen dhe të humbasim vigjilencën tone”, theksoi Peleshi.