Është vetëportretizuar si drejtuesi i grupimit të vetëm politik që sipas tij mbron pa kushte Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.
Lulzim Basha tashmë ka mbajtur shënim shqetësimet e Altin Dumanit shprehur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe atë të Integrimit Europian në Kuvend dhe do t’i përkthejë në një paketë amendamentesh, të cilat do t’i dorëzojnë në Kuvend.
Kreu i PD zyrtare do kërkojë të bashkojë votat me maxhorancën socialiste për ndryshime që do të kërkojnë edhe prekjen e Kushtetutës.
“Do të kërkojmë fond te të mjaftueshme për të rritur me 50% numrin e hetuesve të BKH. Rritjen me 50% të numrit të Këshilltarëve Ligjor. Rritja e fondit përkatës për ndihmë logjistike për SPAK. Si dhe do të trajtojmë çështje që ka nevojë përzgjidhje në përputhje me realitetin që është çështja e mandatit të prokurorëve të SPAK”.
Këto nisma ligjore vijnë në një kohë kur mazhoranca sipas tij po tenton të gjejë mekanizma se si ta dobësojë misionin anti-korrupsion të SPAK, por në sulm Basha nuk sheh vetëm socialistët.
“E kam fjalën për ofensivën e kombinuar të PS dhe një pjese të opozitës, për të frenuar, vënë nën presion dhe intimiduar SPAK”.
Këto nuk janë nismat e para që bën dhe, edhe kësaj here Basha është i ndërgjegjshëm që nuk ka vota për miratim, por nuk u dorëzua duke përsëritur thirrjen për mbështetje të drejtësisë me çdo kosto.
“Detyra jonë është të paraqesim qëndrimet tona, është detyra e Parlamentit se çfarë do bëjë me këto qëndrime dhe së dyti e opinionit publik. Nëse qëndrimit tona janë në mbështetje të interesit publik, atëherë çdo kush duhet të pozicionohet”.
Kreu i Partisë Demokratike zyrtare ju rikthye edhe thirrjes për marrjen në shqyrtim të nismës për heqjen e plotë të imunitetit të deputetëve, si një pro SPAK i Kuvendit.