April 25, 2024
Tirana, Albania
Ekonomi

Nuk shlyejnë sigurime po as pagat, Tirana, Vlora e Korça po abuzojnë me punëtorët

Vonesa në paga por dhe mos shlyrje të pagesave të prapambetura, sigurimeve shoqërore, apo orëve shtesë. Këto janë ankesat më të shumta të punonjësve në 2023 për bizneset ku punojnë.

Të adresuara në regjistrin e ankesave pranë Inspektoratit Shtetëror më shumë qytetarë po ankohen për kushtet bazë në një ambient pune të cilat drejtpërsëdrejti ndikojnë në ekonominë e tyre familjare.

Bizneset duket se nuk respektojnë një listë të gjatë të të drejtave të qytetarëve në punë. Jo vetëm paga e sigurimet shoqërore, ndër problematikat e raportuara rreshtohen raportet mjekësore të papaguara, cenim apo ndërprerje të marrëdhënieve të punës, kushte të pasigurta apo dhe trajtime jo të barabarta e diskriminime.

Këto janë arsye madhore  dhe nxitëse sipas ekspertëve që një shqiptar të braktis vendin për një punë më të mirë në emigrim.

Ndalur sipas qyteteve, pavarësisht se në Tiranë kontrolli është më i shtuar, ankesat janë më të larta me 64% pasuar më tej nga Vlora 8%, Korça 4%, Shkodra 3% dhe pjesa e mbetur në Gjirokastër e Dibër.

Gjatë vitit 2023, janë depozituar në total 800 ankesa më së shumti nga punëmarrësit, të cilat janë trajtuar kryesisht përmes proceseve të mirëfillta të inspektimit. 90 % janë depozituar drejtpërdrejtë pranë ISHPSH në kanalet e komunikimit të ndërtuara për këtë qëllim dhe 10 % janë përcjellë nga Platforma e Bashkëqeverisjes.