Gjykata e Lartë cakton datën 4 qershor për shqyrtimin e rekursit të bërë nga Dritan Dajti kundër dënimit me 25 vite burg.
Prokuroria në mars 2019 ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit dhe duke ulur dënimin e tij 25 vite burg.
Por, organi i akuzës nuk ishte dakord me këtë vendimin dhe e apeloi në Gjykatën e Lartë duke kërkuar dënimin e tij me burgim të përjetshëm dhe mospranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar.
Gjykata e Shkallës së Parë, e dënoi Dajtin me burgim të përjetshëm, për vrasjen e 4 policëve në 2009-ën. Gjithashtu, Shkalla e Parë, nuk i pranoi as kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar.
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi gjykimin e shkurtuar dhe më 9 shkurt 2019 dënoi në total me 25 vite burg Dritan Dajtin për vrasjen e 4 efektivëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani.
Kështu, gjykimi i shkurtuar i ka dhënë të drejtën Dajtit të përfitojë nga ulja e dënimit me 1/3-ën. Çështja është gjykuar nga gjyqtarë, të cilët vinin nga Apelet e Rretheve, ndërsa vendimi u dha pas disa seancash shtyrje për mosformim të trupit gjykues. Për shkak të “konsumimit” të gjyqtarëve të Tiranës, procesi ndaj Dajtit mbeti në dorën e 5 gjyqtarëve të deleguar nga rrethet.
Konkretisht, në trupin gjykues ishin deleguar për të shqyrtuar çështjen gjyqtarët: Skënder Damini, Fuat Vjerdha, Petrit Aliaj, si dhe Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolla të Gjykatës së Apelit të Vlorës.
Por, kjo nuk ishte hera e parë që autori i vrasjes së 4 punonjësve të Policisë, gjykohej në Apel, pasi herën e parë Kolegji Penal, i kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, i dha atij katër vendime me burg përjetë për vrasjen e secilit efektiv Policie.
Ky vendim u kthye nga Gjykata e Lartë për rigjykim, për shkak të shkeljeve të konstatuara, kryesisht për mungesën e një avokati mbrojtës.
Ngjarja, për të cilën Dritan Dajti u gjykua dhe u dënua me vendim të formës së prerë, me 25 vite burg, ka ndodhur në 7 gusht të 2009, në orën 13:50 në lagjen Nr.13, Plazh, Durrës, pranë pistës së vogël “Iliria”.