October 30, 2024
Politikë

Shkrihet Albcontrol, do të ngrihet agjenci me të njëjtin emër dhe funksione në varësi të MIE

Shoqëria e menaxhimit të trafikut ajror Albcontrol do të jetë entitet publik i pavarur. Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi propozimet e qeverisë. Deputet demokratë në komision akuzuan se e gjithë kjo po ndodh për shkak të bllokimit të fondeve të Albcontrol nga si pasojë e çështjet Becchetti.

 

“Kalojmë në votim atëherë të nderuar kolegë? “Për ofruesin e shërbimeve të lundrimit ajror “Albcontrol” – Pro? Kundër? Miratohet!”, deklaroi Shalsi.

 

Propozimi i qeverisë për të “shkrirë” shoqërinë e menaxhimit të trafikut ajror, Albcontrol me qëllim krijimin e një enti të ri me po të njëjtin emër e funksionesh ka marrë mori “dritën jeshile” nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat.

 

“Objektivi kryesor i këtij projektligji është organizimi i “Albcontrol”-it në formën e një enti publik të pavarur, jobuxhetor, jofitimprurës, i cili vepron në interes publik dhe ofron shërbimet e lundrimit ajror në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, sipas parashikimeve të konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e aviacionit civil”, tha zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Enkelejda Muçaj.

 

Por argumentet e zëvendësministres së Infrastrukturës dhe Energjisë nuk bindën deputet demokratë të pranishëm në komision.

 

“Ligji është bërë për shkak të gjyqit të Becchettit dhe për shkak se Albcontrol-it i janë sekuestruar fondet në llogaritë që ka në Vjenë”, tha Edmod Spaho, Deputet i Partisë Demokratike.

 

“Dëshira e kryeministrit për të kontrolluar mediat na ka çuar në një Arbitrazh ndërkombëtar ku Shqipëria humbi dhe për të paguar gjobën janë bllokuar fondet e jashtme”, u shpreh deputet demokrat Xhel Mziu.

 

Por pretendimet e deputetëve demokratë u kundërshtuan nga përfaqësuesja e qeverisë Enkelejda Muçaj.

 

“Çfarëdo lloj ndërlidhje, konfirmoj që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ndodhet sot në asnjë proces dhe vetë “Albcontrol” nuk ndodhet në asnjë lloj konflikti me asnjë shtetas të Republikës së Shqipërisë, apo shtetas ndërkombëtar”, theksoi Muçaj.

 

Agjencia Albcontrol do të jetë nën varësi të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, si dhe do të marrë të gjitha pasuritë, detyrimet dhe asetet e Albcontrol sha. që aktualisht është në funksion. Në fund të vitit 2023 nga buxheti i shtetit u dhanë 30 milionë euro kredi për shoqërinë publike Albcontrol për shkak të problemeve financiare.