May 13, 2024
Tirana, Albania
Kosova Lajmi i fundit

KiE voton pro Kosovës! Asambleja Parlamentare mbështet anëtarësimin e Kosovës

Kosova ka hedhur një hap të rëndësishëm historik për aderimin në institucionin më të rëndësishëm të Europës, Këshilli i Europës. Kosova arriti të marrë një mbështetje maksimale nga deputetët e Asamblesë Parlamentare. Pro Kosovës votuan 171 deputetë, kundër votuan 29 dhe 11 të tjerë abstenuan.

 

Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia kundër hyrjes së Kosovës në KiE nuk u miratuan dhe si të tilla u hodhën poshtë. Po kështu u hodhën poshtë edhe amendamentet e Italisë dhe të Hungarisë. Deputetja e cila hartoi raportin për aderimin e Kosovës, Dora Bakojanis, tha se asnjë gur nuk ka mbetur pa u lëkundur në përgatitjen e raportit dhe se është konfirmuar se pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale: “Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Europës. Raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës, ajo duhet të mbetet kompetencë e shteteve. Themelimi i komunave me shumicë serbe në veri është kompetencë e brendshme e Kosovës. Pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale. Gjithashtu, Kosova ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Kishës Serbe në Deçan. Për raportin ka pasur edhe komente negative, por më lejoni të them se ato komente vijnë nga shtete të cilat e refuzojnë idenë e shtetit të Kosovës”.

Përfaqësues fqinj të Kosovës, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, janë shprehur kundër anëtarësimit të saj në KiE. Ata e cilësojnë shkelje të parimit të së drejtës ndërkombëtare votën pozitive për Kosovën. Serbia si shteti që nuk ka pushuar së lobuari kundër Kosvës kishte propozuar disa ndryshime në tekstin për rekomandimin. Përmes tyre, kërkohej që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Evropës derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mos vendosë për statusin e Kosovës. Deputetja serbe në KiE foli me një gjuhë të ashpër dhe paralajmëroi për separatizëm në rajonin e Ballkanit: “Vendimi për të mbështetur raportin e Dora Bakojanis, nga pjesa më e madhe e Asamblesë tregon për Serbinë se ju vërtetë mund të thyeni të gjitha rregullat, vetëm për të vendosur vullnetin dhe fuqinë tuaj pavarësisht ligjit dhe drejtësisë. Ne pamë injorancën tuaj për objektivat. Vendosja e Asocacionit është kruciale. Serbët që jetojnë atje dhe vuajnë nën regjimin e Kurtit nuk janë llogaritur fare. Nëse futni Kosovën po përjashtoni Serbinë. Kjo do të përkrahë separatizmin në vendet fqinje. Përgatituni për ditët që do të vijnë”.

 

Arben Gashi, deputet kosovar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkoi nga parlamentarët votë pozitive për Kosovën, “për të qenë në anën e duhur të historisë”: “Për shumë gjatë, njerëzit tanë kanë vuajtur dhimbjen e padrejtësisë. Por, sot qëndrojmë para jush si të barabartë, të gatshëm për të marrë vendin tonë në komunitetin e shteteve”.

 

Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Deri në momentin e fundit do të jetë e paqartë se si do të shkojnë votat dhe në cilën formë do të miratohet teksti. Por, sipas Radio Europa e Lirë, ka zëra në qarqet diplomatike që thonë se anëtarësimi i Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit e ministrave në maj. Kjo lidhet edhe me aktivitetin e vendeve të QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, të cilat zakonisht e mbështesin Kosovën, por tani duan të shohin nga Kosova lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.