May 27, 2024
Bota Lajmi i fundit

Paralajmërimi ndaj Vuçiç-Dodik, projektligji në Senat, kërkohet më shumë Amerikë në Ballkan

Kongresi amerikan kërkon që Shtetet e Bashkuara të kenë një angazhim më të madh në Ballkanin Perëndimor. Për këtë arsye, Komisioni për Çështje të Jashtme të Senatit amerikan miratoi një projektligj dypartiak, I cili do të shqyrtohet tashmë në Senat.

Lajmin e bën të ditur Zëri i Amerikës, që thekson se ky zhvillim vjen në një kohë të tensioneve të shtuara në Bosnje dhe Hercegovinë dhe mes Kosovës e Serbisë.

Senatorja Jeanne Shaheen, thekson se projektligji në fjalë është shkruar me qëllim “për të thelluar përkushtimin Amerikan dhe investimin në rajon përmes forcimit të marrëdhënieve tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik si dhe për të vënë në pah mjetet që kanë Shtetet e Bashkuara për t’iu dhënë përgjigje ndikimit keqdashës, korrupsionit dhe përpjekjeve të tjera që synojnë të minojnë aspiratat demokratike të rajonit”.

“Është me rëndësi të theksohet se nëse miratohet në ligj, ai do t’i shndërrojë në ligj urdhrat ekzekutivë ndaj akteve korruptive dhe që bien ndesh me marrëveshjen e Dejtonit në Ballkanin Perëndimor, duke e bërë të qartë që Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë përpjekjet për të minuar paqen dhe stabilitetin në rajon.”, thotë Jeanne Shaheen, senatore në SHBA.

Kjo vjen si një paralajmërim ndaj kërcënimeve të vazhdueshme të Millorad Dodik, të mbështetura nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, se mund të shkëpusë Republika Srpska nga Bosnje e Hercegovinë.

Javën e kaluar, komandanti I komandës amerikane në Europë, Gjenerali Christopher Cavoli, duke dëshmuar në Senatin amerikan, njoftoi se NATO është në proces të shtimit të forcave dhe armatimeve të rënda në misionin e KFOR-it në Kosovë.

Ai fajësoi Rusinë se po nxit tensione ndëretnike dhe tregoi dyshimin e madh për një përfshirje të Serbisë në këto operacione ndikimi në rajon.

Në projektligj thuhet se SHBA-të duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë të bazuar në njohjen e ndërsjellë.