May 13, 2024
Tirana, Albania
Aktualitet Lajmi i fundit

“Zyrtarë policie punojnë me krimin”, Balla ia kthen Dumanit: Asnjë dekonspirim, na besojnë partnerët

Një pyetje mbi bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë në luftën kundër kriminalitetit, i dha mundësinë Taulant Ballës t’i kthente përgjigje Altin Dumanit, i cili vetëm pak ditë më parë kishte folur për lidhje të uniformave blu me krimin e organizuar.

 

“Sa i përket bashkëpunimit me Prokurorinë e Posaçme gjej rastin të them që në vlerësimin tim dhe të drejtueseve të policisë së Shtetit, bashkëpunimi është i shkëlqyer. Më rezulton se nuk kemi asnjë operacion të Prokurorisë së Posaçme dhe Policisë së Shtetit ku ka pasur rrjedhje të informacionit. Të gjitha operacionet kanë qenë të suksesshme. Të gjithë personat për të cilët është lëshuar urdhër arresti janë mundur të identifikohen, të arrestohen nga policia.”

 

Gjatë raportimit të tij vjetor para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, drejtuesi i SPAK foli për zyrtarë të lartë të Policisë që bashkëpunojnë me krimin.

 

Ministri i Brendshëm pohon se besueshmërinë e Policisë nuk e mat me metrin e Altin Dumanit, por të partnerëve ndërkombëtarë.

 

“Vlerësimi i agjencive ndërkombëtare ligj zbatuese për vitin 2023, policia britanike dhe ajo metropolitane e kanë shpallur Policinë e Shtetit si partnerin më të mirë sa i përket bashkëpunimit dhe kjo lidhet me besimin e punën efikase të zhvilluar nga policia e shtetit.”

 

Balla pohoi për të disatën herë se procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit është prioriteti i tij kryesor.