Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me raportazhin investigues për Shqipërinë në emisionin “Report” në televizionin italian RAI 3. Në reagimin e sotëm, Rama i është përgjigjur zëvendësdrejtorit RAI-t, Sigfrido Ranucci, ku e cilëson raport brutal investigimin dhe thotë se nuk do të ndalet së mbrojturi Shqipërinë dhe rolin e saj në marrëveshjen me Italinë për emigrantët.
Rama shkruan më tej se është për të ardhur keq që telefonata e tij me drejtorin e RAI-t u krahasua me ndërhyrjet e Kremlinit në emisionin e tij. Më tej, kryeministri ka komentuar edhe përmendjen e vëllait të tij Olsit në emisionin italian ku thotë se ato dokumenta të publikuara nuk ekzistojnë. Sipas tij arsyeja e telefonatës me drejtorin e RAI-t ka qenë për të sqaruar gënjeshtrën se Ëngjëll Agaçi nuk i është kërkesës së tyre për sqarim.
REAGIMI I PLOTË:
I dashur drejtues emisioni Sigfrido Ranucci, mirëmëngjes!
Dje, gjatë ndërhyrjes tuaj në të njëjtin televizion të njëanshëm shqiptar, i përfshirë tashmë që përpara emisionit “Report” në përhapjen e së njëjtës shpifje të importuar më pas në Itali, ju kishit thënë se do të ishte më mirë nëse do ju kontaktonim direkt, ja ku jam në kontakt të drejtpërdrejtë me ju, por para syve të të gjithëve, sepse me gjithë shtrembërimet e një të vërtete të thjeshtë kam pasur fatin e keq dhe të mirë, e të jetuarit në lëkurën time në këto 72 orë, nuk kam guxim të komunikoj me ju pa dëshmitarë.
Është për të ardhur keq, që në vend që ti jepje të drejtë gjyshes time që thoshte se të gabosh është njerëzore por të këmbëngulësh në gabim është djallëzore, ju bëtë një tjetër gabim.
Por duke qenë se në këtë rast nuk jam unë ai që gabova, unë kam për detyrë të ngulmoj për të nderuar të vërtetën e nëpërkëmbur nga ai program brutal dhe të mos dorëzohem në mbrojtjen e Shqipërisë dhe institucioneve të saj, duke përfshirë edhe rolin e saj në marrëveshjen dypalëshe me Italinë. Edhe nëse programi juaj ka çdo të drejtë të kritikojë duke bombarduar qeverinë e vendit të tij, ai nuk ka të drejtë ta bëjë këtë duke njollosur vendin tim dhe fjalën “shqiptar” me shpifje.
Është gjithashtu për të ardhur keq që ju e krahasoni telefonatën time, shumë civile, si një “pjesë të dëmtuar” nga veprimet tuaja, me ndërhyrjet e Kremlinit që janë bërë ndaj emisionit tuaj. Të paktën në respekt të viktimave të Kremlinit, nuk do të krahasoja kaq lehtë poloniumin e përdorur për të censuruar me vdekje opozitarët e pakëndshëm me një ndërhyrje telefonike të ardhur pas një censure.
Më vjen keq gjithashtu, që keni gënjyer për një letër proteste nga ana ime, që i kam adresuar drejtorit gjatë telefonatës tashmë të famshme, duke pretenduar se letra nuk i ka mbërritur ende, kur në të vërtetë unë as nuk kam dërguar kurrë një letër të tillë dhe as nuk mund të dërgoj atë që nuk kam njoftuar kurrë, duke u kufizuar vetëm në vëzhgimin e një ngjarjeje surreale në programin tuaj, në të cilin fillimisht censurohen përgjigjet e kërkuara dhe më pas sulmohen të censuruarit se nuk janë përgjigjur.
Meqenëse jemi te faktet, më vjen keq kryesisht për shtrembërimin e asaj që tregoni si akte gjyqësore në lidhje me vëllain tim, duke qenë se akte të tilla jo vetëm që nuk ekzistojnë, por pikërisht kjo është tashmë objekt i një padije gjyqësore për shpifje këtu në Shqipëri, një rrethanë që në një transmetim të thelluar investigativ siç pretendoni ta arrini, të paktën duhet përmendur për të shmangur riprodhimin pa kritikë të stereotipit të një epoke tjetër të shqiptarit të interesuar vetëm për drogën dhe të një Shqipërie të korruptuar nga koka e këmbët.
Së fundi, më vjen keq që nuk keni guximin të përballeni me arsyen shumë të thjeshtë të telefonatës sime me drejtorin tuaj, pra kërkesa për të sqaruar arsyen e një gënjeshtre të paraqitur jo një herë, por dy herë, jo vetëm në Itali, por edhe në Shqipëri, pra që Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nuk i ishte përgjigjur kërkesës suaj për sqarim, më pas u shoqërua me një gënjeshtër të tretë që mori formën e mohimit të dy të parave duke publikuar përgjigjet e marra vetëm në faqen web të programit, duke shtuar një gënjeshtër të katërt për dokumente gjyqësore që nuk ekzistojnë.
Gjithsesi duke shpresuar se, kur më thatë se do të donit që në programin e tuaj unë të them fjalën time, kjo nuk ishte një gënjeshtër tjetër, unë deklarohem i gatshëm për të marrë pjesë në episodin e radhës të “Report” me kushtin e vetëm që ndërhyrja ime të bëhet live, pasi nuk e fsheh frikën se pasi ta regjistroj me mirëbesim mund të përfundojë në mullinjtë e censurës tuaj, duke pasur parasysh këto precedentë të rëndësishëm në të cilat ju keni censuruar, më pas ofendoni pa baza dhe në fund akuzoni për riprodhim të modelit të Kremlinit, kur, nëse ka ndonjë gjë, do të kishte arsye për të dyshuar të kundërtën.
Në çdo rast, tani jam unë që pres një telefonatë prej jush, duke ju siguruar se do të më gjeni shumë të disponueshëm për të dakordësuar përballjen tonë publike, drejtpërdrejt dhe pa pengje, gënjeshtër pas gënjeshtre, të vërtetë pas së vërtete, duke shpresuar ta mbyll me një përqafim dashamirës virtual, me një det në mes këndvështrimeve tona për vlerën e lirisë së informacionit, e cila siç e the me të drejtë nuk ka çmim.
Caro Conduttore @SigfridoRanucci buongiorno!
Siccome ieri durante il suo intervento nella stessa tv albanese di parte, coinvolta già prima di Report nella diffusione delle stesse calunnie poi importate in Italia da Report, lei avrebbe detto che sarebbe stato meglio se la…
— Edi Rama (@ediramaal) April 25, 2024
Ndërkohë mbrëmjen e djeshme zëvendësdrejtori i RAI-t, Sigfrido Ranucci, deklaroi se programi investigativ Report në RAI3 do të vazhdojë edhe të dielën e 28 prillit duke trajtuar çështjen që tronditi themelet e qeverisë së Edi Ramës. Në intervistën për SyriTv, Ranucci tha se reportazhi i tyre nuk është sulm ndaj popullit shqiptar, pasi çdo gjë është thënë me emër dhe mbiemër. Duke iu përgjigjur direkt komentit që kryeministri Rama bëri ditën e djeshme në italisht, i cili e niste përgjigjen duke cituar si zakonisht gjyshen e tij, Ranucci tha se i adhuron gjyshet, por se nuk e ha presionin.
Reportazhi i emisionit ‘Report’ në “Rai 3”, i publikuar mbrëmjen e 21 prillit ka bërë bujë në Itali dhe Shqipëri, pasi tha se marrëveshja për refugjatët mes Shqipërisë dhe Italisë është hartuar për interesa të errëta. Për realizimin e reportazhit, gazetari italian Giorgio Mottola ka vizituar edhe Shëngjinin ku do të ndërtohen edhe qendrat e pritjes së emigrantëve nga Italia. Sipas reportazhit, përmendet se personi kyç pas kësaj marrëveshje është Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, i konsideruar edhe si një ish-avokat të trafikantëve të drogës. Në reportazh përmendet se krimi ka arritur në nivele të larta të qeverisë shqiptare, madje edhe vetë vëllai i Edi Ramës, Olsi është i implikuar me kartelet e drogës.