May 5, 2024
Tirana, Albania
Aktualitet Lajmi i fundit

Olsi Rama paditi Bardhin pas akuzave për Xibrakën, SPAK nuk pranon kallëzimin

SPAK nuk e ka pranuar kallëzimin e Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama ndaj kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhit. Prokuroria e Posaçme ka konstatuar se nuk ka asnjë shpifje dhe asnjë kallëzim të rremë. Për këtë arsye, Prokurori i Posaçëm Elvin Gokaj, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal, për kallëzimin e paraqitur nga Olsi Rama. Ky i fundit kallëzoi Bardhin me pretendimin se ka shpifur ndaj tij, dhe se akuzat e demokratit janë në kontekst politik.

NJOFTIMI NGA PROKURORI I SPAK, ELVIN GOKAJ:

Më datë 02.04.2024, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsion dhe Krimit të Organizuar, është depozituar kallëzimi me nr. K301 datë 02.04.2024 i paraqitur nga ana e shtetasit Ols Rama që bën fjalë për veprën penale “Kallëzim i rremë” parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal. Lidhur me materialin kallëzues nga ana e organit prcedues është regjistruar kallëzimi penal Nr. 68 DATË 09.04.2024, ku janë kryer verifikimet përkatëse pranë zyrës e rregjistrit dhe statistikës në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsion dhe Krimit të Organizuar dhe në përfundim të të cilave kanë rezultuar rrethanat si më poshtë vijon:

RRETHANAT E FAKTIT TË REFERUAR

1.1   Në kallëzimin penal të derguar Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsion dhe Krimit të Organizuar, nga shtetasi Ols Rama, pretendohet se kallëzuesi është vënë në dijeni për disa deklarat të pavërteta në një emision televiziv në drejtim nga një deputet i të tij, të bëra Kuvendit të Shqipërisë, z. Gazment Bardhi.

1.2   Konkretisht, kallëzuesi pretendon se i kallëzuar, Gazment Bardhi deputet i Kuvendit të Shqipërisë, në datë 28 mars 2024 ka qenë i ftuar në emisionin “Opinion” pranë televizionit kombëtar “Klan” dhe gjatë kohës kur zhvillohej emisioni televiziv, i kallëzuari ka bërë disa deklarata, të shoqëruara me “prova” që sipas tij e ngarkojnë kallëzuesin me përgjegjësi penale si person që ka patur kontakte me individë të përfshirë në veprimtari kriminalë.

1.3   Në materialin kallëzues, pretendohet që deklaratat e z.Gazment Bardhi në një media kombëtare që janë degjuar e lexuar nga një numër i madh njerëzish, janë jo vetëm të pavërteëta, port ë përgatitura qëllimisht në mënyre që të dëmtojnë imazhin dhe figurën, dhe se asnjë provë tjetër që mund të merret në kushtet e rregjistrimit të procedimit penal, nuk do të ndryshonte mënyrën e zgjidhjes së çështjes.

Përfundimisht, në bazë të nenit 290 paragrafi 1, gërma “ç” dhe 291 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale,

VENDOSA:

1.       Mosfillimin e procedimit penal, për kallëzimin Nr. 68 datë 09.04.2024 me nr K301 datë 02.04.2024 (hyrje në Prokurori) të shtetasit Ols Rama.

2.       Kopje e vendimit i njoftohet personave të interesuar.

3.       Kundër këtij vendimi mundet të bëhet ankim nga përsonat e interesuar në Gjykatën e Posaçme brenda dhjetë ditëve nga marrja dijeni.

Disa javë më parë, Bardhi solli në vëmendje laboratorin e drogës që u zbulua në 2015 në Xibrakë, ku i bëri thirrje SPAK të rihapë hetimet, pasi ishte i përfshirë edhe Olsi Rama. Kreu i Grupit të PD në deklaratat e tij për çështjen, tha se automjeti me targa AA653DM, është përdorur disa herë, bashkë dhe veçmas nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit dhe anëtarët kryesorë të grupit kriminal të Xibrakës, Genci Xhixha, Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj.

Gjithashtu, Bardhi thotë se referuar të dhënave të TIMS, Rama e ka kaluar kufirin me të njëjtin automjet, 40minuta pas arrestimeve nga policia në Divjakë, dhe dyshohet se ka qenë ai që ka nxjerrë jashtë Shqipërisë, kryetrafikantin e drogës, Genci Xhixhën. Bardhi ka thënë se denoncimi dhe faktet e paraqitura nga ai nuk janë aspak politike por janë pjesë e dosjeve hetimore. Ai tha se referuar dosjes, përveç të arrestuarve, në hetime flitet edhe për një tjetër person të paidentifikuar, por që i përshkruhet mosha, pamja dhe targat e automjetit që përdor. Sipas tij të gjitha përkojnë me të dhënat e Olsi Ramës. Gjithashtu ai e akuzon edhe se ka sjellë në Shqipëri asokohe dy kolumbianëy Cesar Adolfo Avila Gutierrez dhe Walther Moren Morena, të cilët me njohuritë e tyre kimike bënë të mundur fillimin e procesit të përpunimit të kokainës.