Gjykata Kushtetuese ka pranuar në Dhomën e Këshillimit padinë e Partisë Demokratike për taksimin e profesioneve të lira.
Në njoftimin e siguruar nga A2 CNN që mban datën 19 prill, thuhet se Kushtetuesja ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në Dhomë Këshillimi, ndërsa gjatë procesit të gjykimit do të thirren edhe palët e interesuara, deputetët e opozitës, si edhe përfaqësues të Këshillit të Ministrave.
Nëse palët kanë argumente të tjera mbi këtë çështje, kanë afat për t’i depozituar deri më datë 21 maj.
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka depozituar më parë padinë në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se tatimi mbi profesionet e lira është i padrejtë dhe se prek shtresën e mesme të popullsisë.